E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen premton mbështetje për vendet baltike pas ndërhyrjeve me dronë

BRUKSEL, 26 maj /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka shprehur mbështetje të plotë për Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë pas incidenteve të fundit me dronë në hapësirat e tyre ajrore.

Pas një takimi me presidentët e tre vendeve baltike, Von der Leyen theksoi se Evropa qëndron në solidaritet të plotë dhe unitet me Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, duke shtuar se Komisioni Evropian po rrit mbështetjen për rajonin.

Ajo deklaroi se Bashkimi Evropian po përdor fondet e riarmatimit dhe mekanizma të tjerë financiarë, për të forcuar kapacitetet e sigurisë në vendet baltike, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin për shkëmbimin e informacionit dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm.

Shtetet baltike, të cilat kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë, kanë raportuar së fundmi disa raste të depërtimit të dronëve në hapësirat e tyre ajrore, në kuadër të vazhdimit të luftës në Ukrainë.

Zyrtarët rusë kanë pretenduar se disa dronë ukrainas kanë hyrë gabimisht, në territorin e vendeve baltike gjatë sulmeve ndaj objektivave në Rusi, ndërsa Kievi dhe qeveritë baltike i kanë mohuar këto akuza.

Estonia, Letonia dhe Lituania mbeten ndër mbështetëset më të forta të Ukrainës, duke ofruar ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›