BRUKSEL – Von der Leyen u shkruan anëtarëve të BE-së për përdorimin e fondeve ruse për Ukrainën

BRUKSEL, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shkroi sot shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së për mënyrën se si mund të zbuten rreziqet që lidhen me sekuestrimin e fondeve të bllokuara ruse duke marrë parasysh veçanërisht shqetësimet e Belgjikës.
Ajo gjithashtu sqaroi se si mund të mbyllet një boshllëk në buxhetin ukrainas prej mbi 100 miliardë eurosh, nëse blloku nuk arrin marrëveshje mbi përdorimin e fondeve të Bankës Qendrore Ruse.
Sipas letrës, kjo mund të bëhet përmes kontributeve nga buxhetet kombëtare të BE-së, hua të përbashkëta ose një kombinim i të dyjave.
Belgjika kishte kërkuar që opsionet e financimit të detajoheshin para bisedimeve të mëtejshme, pasi shumica e fondeve ruse administrohen nga ”Euroclear”, e cila ka selinë në Belgjikë.
Qeveria belge frikësohet nga pasojat për kompanitë evropiane që ende veprojnë në Rusi.
Në letrën e saj, von der Leyen gjithashtu detajoi se si mund të përdoren fondet ruse të mbajtura nga bankat komerciale në shtetet e tjera të BE-së, duke vlerësuar shumën teorike në 25 miliardë euro (29 miliardë dollarë).
Sipas komisionit, së paku 135,7 miliardë euro duhet të sigurohen për Ukrainën nga BE-ja deri në fund të vitit 2027.
Kjo supozon se lufta do të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm dhe se ndihma ushtarake prej 51,6 miliardë eurosh në 2026 mund të ulet në 31,8 miliardë euro në 2027.
Ndihma buxhetore për vendin vlerësohet në 20,1 miliardë euro në 2026 dhe 32,2 miliardë euro në 2027./ /Ad.Ab./