E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Çmimi i banesave në 2013 u ul me 12.6 për qind

TIRANE-Indeksi i çmimit të banesave vijoi trendin rënës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, duke u ulur me rreth 10.7% në terma vjetorë nominalë. I deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumit, tkurrja e çmimeve të banesave ishte 12.7%. Ecuri të ngjashme regjistroi edhe indeksi i qirave, i cili shënoi rënie me rreth 6.3% në terma nominalë vjetorë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013. Në terma vjetorë realë, kjo rënie ishte rreth 8.3%. Të dhënat vijnë përmes Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e dytë të vitit 2013, i bërë publik dje nga Banka e Shqipërisë. "Ecuria e çmimeve të banesave gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013 ka reflektuar kryesisht një kërkesë të plogësht konsumatore dhe performancë të dobët të kredisë për banesa", nënvizon raporti.

Raporti shitje-qira
Më tej në raport, Banka e Shqipërisë vëren se megjithatë, standardet për kredinë hipotekare janë lehtësuar gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2013 dhe kërkesa e individëve për kredi për blerje banese është rritur pak. Ky zhvillim i ndërthurur me pritjet për një rigjallërim të ofertës (përmirësim i besimit të sektorit të ndërtimit dhe rritje e numrit të lejeve të ndërtimit), sipas Bankës së Shqipërisë, do të përcaktojnë lëvizjen e çmimeve në periudhën në vijim. Zhvillimet më të fundit në tregun e banesave tregojnë se çmimet e shitjes kanë filluar të bien krahasuar me marrjen me qira të tyre, sipas analizës së raportit të indeksit të çmimit ndaj qirasë. Ky raport është rreth 4.7% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ky tregues shënoi rritje me rreth 6.8% (për shkak të rritjes së çmimit të banesave në terma tremujorë). Megjithëse në rënie në terma vjetorë, ky tregues vijon të qëndrojë mbi trendin e tij historik.

Kriza në ndërtim
Sektori i ndërtimit, ndonëse u tkurr në tremujorin e parë të vitit 2013, e zvogëloi kontributin negativ në ecurinë vjetore të PBB-së në 0.5 pikë përqindje. Vlera e shtuar në aktivitetin ndërtues vijoi rënien, ndonëse me ritme më të zbutura (-4.8%, krahasuar me -17.8% mesatare për vitin 2012). Në tremujorin e dytë të këtij viti, performanca e sektorit ndërtues pritet të përmirësohet, kryesisht si rezultat i rritjes së investimeve publike. Gjithashtu, vlerësimi i bizneseve për shfrytëzimin e kapaciteteve me një normë lehtësisht më të lartë në tremujorin e dytë, sugjeron për dinamikë më pozitive të sektorit të ndërtimit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›