BSH: Dobësohet ndjesia ekonomike në korrik, rritet besimi i konsumatorëve

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u dobësua në muajin korrik, si rezultat i rënies së besimit në të gjithë sektorët e biznesit, veçanërisht në ndërtim dhe tregti, ndërsa besimi i konsumatorëve shënoi rritje.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ndonëse në rënie, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike vijon të qëndrojë 5,4 pikë mbi mesataren e tij afatgjatë.
Treguesi i besimit në industri u ul me 0,8 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet më pak optimiste për kontratat porositëse të eksportit. Megjithatë, ai mbetet rreth 8 pikë përqindje mbi mesataren historike. Bizneset e sektorit kanë ulur gjithashtu pritjet për prodhimin, punësimin dhe çmimet në muajt e ardhshëm.
Në sektorin e ndërtimit, treguesi i besimit ra me 4,6 pikë përqindje, si pasojë e vlerësimeve më të dobëta për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pavarësisht kësaj, treguesi mbetet rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë, ndërsa pritjet për çmimet janë në rritje.
Edhe besimi në sektorin e shërbimeve u ul me 2,4 pikë përqindje, si rezultat i vlerësimeve më pak pozitive për ecurinë e aktivitetit dhe nivelin e kërkesës. Treguesi vijon të qëndrojë rreth 5,5 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Në tregti, besimi u reduktua me 3,2 pikë përqindje, kryesisht për shkak të vlerësimeve më pak optimiste për ecurinë e biznesit. Edhe pritjet për punësimin shënuan rënie, ndërsa pritjet për çmimet u rritën. Megjithatë, treguesi mbetet rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
Ndryshe nga bizneset, konsumatorët u shfaqën më optimistë gjatë korrikut. Treguesi i besimit konsumator u rrit me 2,2 pikë përqindje, duke qëndruar 1,2 pikë mbi mesataren historike. Përmirësimi u mbështet nga vlerësime më pozitive për situatën ekonomike të vendit, gjendjen financiare familjare dhe gatishmërinë për të kryer blerje të mëdha, ndërsa pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve u rishikuan në ulje.
/e.xh/j.p/r.e/