E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Rritja e interesave, nga mungesa e konkurrencës

 

Ibrahimi: Në sistemin bankar shqiptar, kostoja e ndërmjetësimit ka ardhur në rritje

FMN: Interesat rekord të kredive po bllokojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe gjithë rajonit

Interesat e kredive janë në nivele të larta dhe gjatë viteve të fundit, kostoja e ndërmjetësimit bankar ka ardhur duke u rritur. Në fjalën e tij në forumin e "Crans Montana", Zëvendësguvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi ka paraqitur një panoramë të zhvillimeve në sistemin bankar shqiptar. "Një tipar i evidentuar në sistemin bankar shqiptar dhe në atë të shumicës së vendeve të Evropës Juglindore është kostoja e lartë e ndërmjetësimit, e cila ka ardhur vazhdimisht në rritje, megjithëse ritmi i rritjes është ngadalësuar. Ky marzh i lartë i referohet rritjes së investimeve të bankave në aktive me rrezik më të lartë dhe ndryshimit të strukturës së depozitave në favor të atyre në valutë, me norma më të ulëta interesi. Sipas një studimi të FMN-së, mendohet se këto kosto të larta ndërmjetësimi pengojnë zhvillimin ekonomik të rajonit dhe flasin për një mungesë eficience. Ndryshimi i ambientit të biznesit nëpërmjet reformave institucionale dhe nxitja e konkurrencës midis bankave, zhvillimi i sektorit jobankar, do të ishin hapat e përshtatshëm për rritjen e eficiencës dhe uljen e kostove të ndërmjetësimit financiar", - ka bërë të ditur Ibrahimi. Një nga pjesët më të rëndësishme të referatës së bërë nga ana e zv guvernatorit Ibrahimi ishte niveli i kreditimit dhe risqet në rritje që paraqet ky aktivitet që në Shqipëri mbetet i përqendruar në institucionet bankare. "Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kontrollit të cilësisë së portofolit të kësaj kredie. Për rrjedhojë, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të tepricës së kredive (bruto) ka shfaqur nivele të ulëta, por me një tendencë rritëse, duke qenë 3.4%, 3.1% dhe 2.3% për vitet 2007, 2006 dhe 2005 respektivisht. Masat më të fundit, në këtë drejtim, janë edhe hyrja në fuqi e ligjit të ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" në qershor 2007 dhe miratimi i rregulloreve të reja e ndryshimi i atyre ekzistuese, që vënë theksin në një mbikëqyrje më efektive, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe parimet e Komitetit të Bazelit. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë realizoi vënien në funksionim të Regjistrit të Kredive, në janar 2008. Duke ofruar një instrument tepër të rëndësishëm për thellimin e analizës dhe uljen e rrezikut të kredive nga ana e bankave",- tha Ibrahimi.

***

Ndërtimi do jetë një nga sektorët që do të vazhdojë të tërheqë pjesë të mëdha të kredive të dhëna nga ana e sistemit bankar edhe në të ardhmen. Duke vlerësuar se kredia është një nga faktorët kryesorë edhe në rritjen e çmimeve të banesave, Ibrahimi tha se, "kërkesa për blerjen dhe ndërtimin e shtëpive (sidomos për metropolet ku përqendrimi i popullsisë është i lartë) ka ardhur vazhdimisht në rritje, e shoqëruar kjo me një rritje edhe të kërkesës për kredi, për pasuri të paluajtshme. Ky produkt konsiderohet tashmë si një nga llojet e kredive me interes, si për bankat, ashtu edhe për klientët. Pesha e kësaj kredie ka ardhur në rritje dhe në tremujorin e parë të vitit 2008 përbënte rreth 24 për qind të portofolit të kredive të sistemit bankar shqiptar. Gjithsesi, vlen të përmendet se ndërsa vendet e Evropës Qendrore Lindore arrijnë nivele dyshifrore të raportit të kredive për pasuri të paluajtshme me PBB-në, vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, janë në nivele shumë më të ulëta. Për vendin tonë, kjo shifër llogaritet afërsisht 7 për qind, e krahasueshme me vendet e tjera të Evropës Juglindore". Kredia mbetet një nga faktorët kryesorë në nxitjen e investimeve. "Nëse do të flasim për strukturën e kredisë, ajo ka pësuar ndryshime në vitet e fundit si përsa i përket sektorëve të ekonomisë, maturimit apo edhe valutës. Vlen për t'u përmendur se pavarësisht ndryshimeve, disa tipare janë mbizotëruese për një kohë të gjatë në sistemin bankar shqiptar. Me gjithë zhvillimet pozitive në drejtim të rritjes së kreditimit ndaj individëve, bankat vazhdojnë të kenë bizneset si segmentin më të preferuar të tyre, ku teprica e kredisë për këta të fundit përbën rreth 63% të kredive të sistemit në fundin e vitit 2007. Kështu, sektorët më të kredituar janë tregtia, industria përpunuese dhe ndërtimi, ndërsa kreditimi për një nga sektorët më të rëndësishëm, atë të bujqësisë, mbetet i kufizuar", - tha Ibrahimi.

Interesat

Me rritjen e kërkesës për kredi, në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008, normat e interesit kanë pësuar një rritje. Sipas të dhënave të BSH-së, interesi mesatar i kredisë në lekë ka rezultuar 14.1 për qind në tremujorin e katërt 2007, nga 13.1 për qind në tremujorin e kaluar. Pesha e kredisë në lekë mbetet ende e ulët dhe interesat për këtë tregues janë të luhatshëm nga një periudhë në tjetrën, në varësi të shpërndarjes së kredidhënies. Nga ana tjetër, rritja e konkurrencës së sistemit bankar në kredidhënie ka ndikuar në ruajtjen e një niveli mesatar të normës së kredisë, pavarësisht orientimit të politikës monetare. Kjo ka sjellë dhe një ulje të lehtë të diferencës së interesave midis depozitave dhe kredisë në lekë, gjatë këtij viti. Mesatarisht, ky tregues llogaritet në 8.9 për qind, nga 9.4 për qind në vitin e kaluar. Kjo shifër është më e ulët për monedhën evropiane. Normat e interesit për kredinë në euro janë rritur gjatë vitit 2007 në përputhje me ecurinë e interesave në euro në tregun ndërkombëtar, por diferenca e tyre me depozitat në të njëjtën monedhë ka rënë në 5.25 pikë përqindjeje, nga 5.50 pikë përqindjeje gjatë vitit 2006

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›