Trump njofton tarifë 25% ndaj Indisë, ndëshkim për importin e naftës ruse

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë, duke e cilësuar këtë si ndëshkim për blerjen e naftës ruse. Ky vendim shënon një përshkallëzim të luftës tregtare me Nju Delhin dhe është përdorimi i parë i sanksioneve dytësore nga administrata e tij ndaj vendeve që, sipas SHBA-së, po mbështesin makinerinë e luftës së Moskës.
Sipas një urdhri ekzekutiv të publikuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, tarifa e re prej 25% do të aplikohet për mallrat indiane. Urdhri thekson se India “aktualisht po importon drejtpërdrejt ose tërthorazi naftë nga Federata Ruse” dhe e cilëson si “të nevojshme dhe të përshtatshme” vendosjen e kësaj takse.
Tarifat e reja, të lidhura me Rusinë, do të hyjnë në fuqi brenda 21 ditësh. Kjo vjen pasi Presidenti Trump kishte kërcënuar më parë Indinë me tarifa të reja, duke argumentuar se blerjet e naftës ruse po ndihmonin financiarisht Rusinë për luftën në Ukrainë.
Njoftimi erdhi vetëm pak orë pasi i dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, përfundoi një takim në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në një postim në mediat sociale, Trump kishte akuzuar më parë Indinë se “jo vetëm po blen sasi të mëdha nafte ruse, por më pas, për pjesën më të madhe të naftës së blerë, e shet atë në tregun e hapur për fitime të mëdha.” Ai shtoi se kjo tregon se Indisë “nuk i intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës.”
Ky vendim vjen si pjesë e përpjekjeve të Presidentit Trump për të mbyllur deficitin tregtar të SHBA-së me Indinë, pasi një tarifë prej 25% mbi importet indiane ishte njoftuar tashmë më herët.
/rtsh.al/