E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH prezanton planin tre vjeçar

 Deviza e BSH-së për periudhën 2009-2011  do të jetë: përafrim i shpejtë institucional, ligjor dhe rregullativ me Bankat Qendrore, anëtare të Sistemit Evropian. Strategjia e Zhvillimit të BSH-së ka në qendër të objektivave të saj, stabilitetin e çmimeve të konsumit, të sistemit bankar si dhe funksionimit efikas të sistemit të pagesave në të gjitha elementet e tij. Hartimi i planit strategjik për periudhën 2009-2011 është një përpjekje e të gjitha departamenteve dhe punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë që vetë BSH-ja, në tre vitet që vijnë mbetet e angazhuar për të konsoliduar arritjet e deritanishme, thellimin e mëtejshëm të reformave të ndërmarra, duke siguruar një rol të rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të mirëqenies ekonomike dhe financiare të shqiptarëve.

Banka Qendore vëren se, zhvillimet e tashme dhe ato të perspektivës kanë krijuar një situatë komplekse me të cilën duhet të përballemi gjatë tre viteve në vijim. Në këtë konteks, ekspertët bankarë vërejnë se integrimi i ekonomisë sonë me standardet dhe praktikat e ndjekura nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Bankat Anëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, qëndron në "rrënjët" e përpjekjeve të BSH-së për periudhën në vijim.

Megjithatë, theksojnë ata, zhvillimet globale të fundvitit 2008, kanë krijuar një problematikë më specifike, duke rritur ndjeshëm nevojën për një kujdes më të madh si përsa i takon ekuilibrave makroekonomikë, ashtu edhe stabilitetit financiar të vendit. Për këtë qëllim, edhe për periudhën 2009- 2011, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t’i kushtojë një vëmendje të veçantë përsosjes së mëtejshme të qeverisjes së saj dhe llogaridhënies së saj, kryesisht nëpërmjet një transparence në rritje të pandërprerë, ndërkohë që polika monetare do të synojë të ankorojë brenda parametrave të parashikuar shifrat për inflacionin kombëtar.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›