E Hënë, 2 Nëntor 2026

BUKURESHT – Rumania thërret ambasadorin rus për të protestuar kundër ndërhyrjes së dronëve

BUKURESHT, 15 shtator /ATSH-AFP/ – Rumania thërriti ambasadorin rus për të denoncuar fluturimin e papranueshëm të një droni rus, një ditë më parë, në hapësirën e saj ajrore, disa ditë pas një ndërhyrjeje së dronëve në territorin polak, që u dënua nga Bashkimi Evropian.

”Bukureshti i shprehu kreut të misionit diplomatik rus, Vladimir Lipayev, protestën e tij të fortë kundër këtij akti të papranueshëm dhe të papërgjegjshëm”, shkroi Ministria e Jashtme rumune në një deklaratë.

Ajo “i kërkoi palës ruse të marrë të gjitha masat e nevojshme” për të parandaluar përsëritjen e një “shkeljeje të sovranitetit të Rumanisë”.

Natën e së martës, 19 dronë rusë kryen një inkursion në territorin polak, i pari i këtij lloji që kur Rusia filloi pushtimin e territorit ukrainas në shkurt 2022.

Që atëherë, Polonia ka qenë në gatishmëri të lartë, ashtu si edhe shtetet e NATO-s që mbajnë një prani ushtarake në tokën e saj.

“Incidente të tilla të përsëritura kontribuojnë në përshkallëzimin dhe amplifikimin e kërcënimeve ndaj sigurisë rajonale”, i tha ministria ambasadorit.

E njëjta deklaratë theksoi se Rumania, një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, “mbetet në kontakt të vazhdueshëm me aleatët e saj”.

Ministria rumune e Mbrojtjes e kishte përshkruar më parë incidentin si “një sfidë të re për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Rumania raportoi të shtunën në mbrëmje se një dron “Geran” kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës në Ukrainën fqinje./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›