TEL AVIV – Rubio premton mbështetjen e patundur amerikane për Izraelin

TEL AVIV, 15 shtator /ATSH-AFP/ – Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio premtoi sot “mbështetjen e palëkundur” të Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit për të “eliminuar” Hamasin, gati dy vjet pas fillimit të luftës në Rripin e Gazës.
“Populli i Gazës meriton një të ardhme më të mirë, por kjo e ardhme më e mirë mund të fillojë vetëm kur Hamasi të eliminohet”, u tha Rubio gazetarëve, pas një takimi në Jerusalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Mund të mbështeteni në mbështetjen dhe angazhimin tonë të palëkundur për ta parë këtë të ndodhë”, shtoi ai.
Për Netanyahun, vizita e Rubios është një “mesazh i qartë” i mbështetjes së SHBA-së për Izraelin, vetëm disa ditë pas një sulmi izraelit ndaj udhëheqësve të lëvizjes islamike palestineze në Katar, i cili e bezdisi Uashingtonin.
”Presidenti Donald Trump është miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”, siguroi nga ana e tij Netanyahu.
Kjo vizitë synon të demonstrojë solidaritetin e SHBA-së me Izraelin, një javë para një samiti të bashkëorganizuar nga Franca dhe Arabia Saudite në Kombet e Bashkuara, që synon të promovojë njohjen ndërkombëtare të Shtetit të Palestinës, diçka që kundërshtohet fuqimisht nga Netanyahu dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë.
Rubio tha se lëvizjet e disa vendeve për të njohur një shtet palestinez e kishin “forcuar” Hamasin.
Sekretari i Shtetit deklaroi se Trump donte që lufta në Gaza, e shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, të “mbaronte”.
Dialogu midis dy aleatëve u ndërlikua nga sulmi izraelit më 9 shtator në Katar, i cili synonte takimin e udhëheqësve të Hamasit për të diskutuar një propozim të ri të armëpushimit të SHBA-së për Gazën.
Gjashtë persona u vranë, përfshirë pesë anëtarë të Hamasit./ a.jor.