E Enjte, 5 Nëntor 2026

BULLGARI – Zgjedhjet e reja shtyhen pas dështimit të kabinetit të përkohshëm

SOFJE, 19 gusht /ATSH-DPA/- Zgjedhjet e reja parlamentare në Bullgari, të planifikuara fillimisht në 20 tetor, janë shtyrë, njoftoi sot presidenti Rumen Radev.

Formimi i një kabineti të përkohshëm, i cili duhej të organizonte zgjedhjet parlamentare, ka dështuar papritur.

Radev refuzoi të miratojë kabinetin e përkohshëm të propozuar nga kryeministrja e përkohshme, Gorica Grancharova-Kozhareva – e emëruar me dekret.

Mollë e sherrit është ministri aktual i Brendshëm Kalin Stojanov, i cili supozohej të mbante postin e tij në qeverinë e re të përkohshme.

Presidenti Radev dhe koalicioni liberal-konservator pro-perëndimor – Ne vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike (PP-DB) e akuzojnë atë se nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të ndershme.

Policët u mblodhën në zyrën presidenciale dhe para stacioneve policore në disa qytete për të mbrojtur Stojanov.

Ata akuzuan PP-DB se po kërkon të dominojë Ministrinë e Brendshme për arsye partiake-politike përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Vendi juglindor i BE-së po përballet me zgjedhjet e tij të shtatë parlamentare në tre vjet e gjysmë, por i mungon një kabinet i përkohshëm për të organizuar zgjedhjet.

Fushëveprimi i presidentit Radev për të emëruar një kryeministër të ri të përkohshëm është i kufizuar në një rreth të vogël zyrtarësh të rangut të lartë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›