Babai i Nazime Vishës: Politikanët më mashtruan, më premtuan se ajo do të lirohet
Familjarët e Nazime Vishës e kanë pritur mjaft ashpër vendimin e Gjykatës së Tiranës, ku 18- vjeçarja u dënua me 15 vite burg. Nisur nga fakti që ajo u procedua me gjykim të shkurtuar, Nazimja do të vuajë vetëm 10 vjet burg.
Jam i shokuar. Jam krejt i shokuar. Kam disa orë që kam dalë nga Gjykata e Tiranës dhe ky është momenti i parë që po flas me njerëz të tjerë, se deri qëparë kam folur veç me veten. Ishte dënim i padrejtë. Vajza ime u dënua si kriminele, ndërkohë që është viktimë. Dënimi me 15 vite burg për atë vajzë, që është ende fëmijë, është një zhgënjim i madh për familjen tonë dhe jemi akoma në ajër, nuk e besojmë dot, është shprehur për Panoramën 48- vjeçari Beqir Visha.
Maksimumi i kohës që kisha menduar, se ajo mund të dënohej ishte kjo periudha e paraburgimit. Nuk ma mori mendja kurrë se Nazimja do të dënohej kaq shumë, rrëfen babai.
Ai tregon se gjendja e tyre familjare është e rrënuar, madje për këtë arsye bashkëshortja e tij nuk mundi të jetë në sallën e gjyqit.
Ku të vinte? Ju thashë që jemi për copën e bukës, nuk kemi lekë që të udhëtojmë. Ajo është edhe e sëmurë, pasi kur Fiqiriu rrëmbeu Nazimen, tentoi të vrasë veten me helm. Nuk e ka marrë më veten që vjet në qershor. Ndërkaq kam edhe dy fëmijë të tjerë në shtëpi që nuk ka kush të kujdeset për ta përveç gruas sime. Jemi në pikë të hallit, që çtë të them. Por për momentin, nuk jam në gjendje as të flas shumë, se jam i thyer dyfish, pohon ai.
Babai shprehet se të gjithë njerëzit iu thoshin se Nazimja do të mbetej e lirë, madje edhe politikanët.
Se mos ua di emrat unë. Ku marr vesh nga politika Kanë qenë disa. Kanë filluar të dalin tani andej fshatrave tona për fushatë dhe më thanë se janë politikanë. Më qanë hallin, më premtuan dhe nuk i pashë kurrë më. Më mashtruan, me pak fjalë, thekson ai.
Beqiri iu qëndron fjalëve të thëna për vajzën i lumtë dora, që e vrau dhe shprehet se me familjen Muça ka hesape të tjera dhe e di ai si do të merret me ta./A.XH