Babai me dy vajzat të bllokuar nga bora në malet e Gramshit, ekipet e shpëtimit nisen drejt zonës

Një automjet tip foristradë, me tre persona brenda, ka mbetur i bllokuar mes dëborës në aksin rrugor Kukur – Rovje, në zonën malore të Gramshit, ku trashësia e dëborës në këtë segment arrin mbi 60 centimetra, raporton Fax News.
Personat e bllokuar janë banorë të zonës, babi me dy vajzat e tij, të cilët po ktheheshin nga puna e përditshme në fshatin Kukur drejt banesave të tyre në fshatin Rovje.
Ndërkohë, pas marrjes së njoftimit, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Gramsh, Ilir Llapushi, ka bërë me dije se ekipet e shpëtimit janë nisur menjëherë drejt zonës.
Sipas tij, trashësia e dëborës është shumë e madhe dhe automjetet nuk mund të avancojnë, ndaj ekipi i shpëtimit po vijon misionin në këmbë.
Deri në këto momente nuk ka asnjë kontakt me personat e mbetur të bllokuar në dëborë.
Ndërkohë, banorë të zonës janë nisur gjithashtu për të ndihmuar në kërkime, ndërsa kushtet atmosferike vijojnë të jenë të vështira.
Prej orëve të mëngjesit zona përballet edhe me mungesë të energjisë elektrike, çka e bën situatën edhe më problematike.