Babait vrasës i pëlqente stili i jetës perëndimore
Është një çështje që ka tronditur Britaninë e Madhe. Nëna e babai, me origjinë nga Pakistani, vrasin në bashkëpunim vajzën e tyre, pasi po përqafonte stilin e jetesës perëndimore.
Iftikhar Ahmed dhe gruaja e tij Farzana e mbajtën krimin të fshehur për 9 vite, deri kur vajza tjetër e tyre ua nxori të vërtetën në shesh.
Tani të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vajzës Shafilea në vitin 2003.
Por ish- gruaja e Iftikhar-it rrëfen se atij i pëlqente jeta perëndimore.
Vivi Lone Anderson, gruaja e parë e tij nga Danimarka, tha se atij i pëlqente jeta perëndimore. Ai shkonte në disko, kërcente, pinte birrë.
Ai u martua me Anderson në vitin 1982 deri në vitin 1986 dhe kishin një djalë bashkë, Tony Anderson.
Por një ditë Iftkhar u largua drejt Pakistanit, pasi mamaja e tij nuk ishte mirë.
Pasi qëndroi disa muaj atje, Iftikhar i tha Anderson që të bashkohej me të në Angli për të nisur një jetë të re.
Kur ajo mbërriti, një grua shtatzënë i doli para. Iftikhar i tha se ishte kushërira e tij, Farzana.
Më vonë Anderson mësoi se ajo ishte gruaja e tij, me të cilën ishte martuar pas një premtimi të bërë nga prindërit e tyre që kur ishin fëmijë.
Ajo u largua menjëherë nga Anglia.
Iftikhar bëri tre vajza dhe një djalë me Farzanën.
Anderson kujton se gjithçka ndryshoi në jetën e tyre kur Iftikharin e vizituan disa të afërm nga Pakistani.