Babaj, mes Rusisë e Ukrainës

Paraqitjes së mirë në ndeshjen miqësore Gramozi – Real Madrid, Shpëtim Babaj, pritet t’ia shohë hajrin, pasi në adresë të tij kanë ardhur dy oferta, një nga Rusia dhe një nga Ukraina.
Drejtuesit e klubit nga Liga e Parë e Rusisë, Shinnik Yaroslavl, dhe ata të skuadrës së Premier Ligës së Ukrainës, Chernomorets Odessa, janë befasuar me paraqitjen e Babajt në ndeshjen Gramozi – Real Madrid, derisa kanë shprehur interesim ta angazhojnë 28-vjeçarin.
Këtë lajm e ka bërë të ditur menaxheri i futbollistit, Ismet Munishi, i cili pohoi se Babaj të shtunën do të shkojë në Turqi, ku të dyja këto klube po i zhvillojnë përgatitjet, për të negociuar me zyrtarët e tyre.
“Shinnik Yaroslavl dhe Chernomorets Odessa janë të interesuara për Shpëtim Babajn. Këtyre klubeve u ka pëlqyer paraqitja e Shpëtimit në ndeshjen ndaj Real Madridit. Shpëtimi të shtunën do të vijë në Turqi, dhe do të vendosë se për cilin klub dëshiron të luajë”, deklaroi Munishi për Express.
Në anën tjetër, mesfushori kosovar, tregon se cili klub do t’i ofrojë kushte më të mira financiare, për atë do të nënshkruajë. “Të shtunën do të shkoj në Turqi dhe do të bisedoj me të dyja klubet. Unë do të luaj për atë ekip që më ofron kushte më të mira”, deklaroi Babaj për Express.
Ish-futbollisti i KEK-ut, me skuadrën nga Erseka, ka kontratë deri në fund të sezonit. Por sipas Babajt, kjo nuk pritet t’i bëjë ndonjë problem për të kaluar te njëra nga klubet e interesuara.
“Gramozi me gjasë do të më liroj, edhe pse kam kontratë me këtë klub, deri në fund të stinorit. I kam pasur disa vështirësi rreth kësaj çështjejr, por në fund Gramozi me gjasë nuk do të më pengoj. Aq para sa kam marr deri më tani prej Gramozit, klubi i cili do të më marrë do t’ia kthejë Gramozit”, theksoi ai.
Babaj, gjatë karrierës së tij, ka veshur fanellën e Besës së Kavajës, Elbasanit, klubit ukrainas Zorya Luhansk dhe atij nga Kazakistani, Shakhter Karagandy.