Flamurtari, leksion futbolli Besës
Vlonjatët fituan 3-0 në takimin e përsëritur të javës së 18-të
Besa nuk pranoi humbjen minimale të pësuar më 24 janar në Vlorë (mes një skandali të paprecedentë), por në sfidën e riluajtur nuk tregoi as dëshirën më të vogël për të fituar. Kavajasit e drejtuar nga Shpëtim Duro ishin thjesht të pafuqishëm përballë Flamurtarit, që në përfundim të 90 minutave pa tifozë fituan 3-0. Kuqezinjtë kanë marrë tri pikë mjaft të rëndësishme në garën për mbijetesën në Kategorinë Superiore dhe tashmë ngjiten në vendin e dhjetë në klasifikim. Por, sinjali më pozitiv në radhët e bregdetarëve është dhënë nga përforcimet e reja të merkatos së janarit: kroati Puljiz, Memelli dhe Lena ishin vendimtarë në këtë triumf, madje dy të fundit kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Potenciali i këtyre lojtarëve i jep më tepër forcë skuadrës së drejtuar nga Gugash Magani dhe duken një “garanci” për pjesën e mbetur të sezonit. Në anën tjetër, kjo është një disfatë mjaft e rëndë për Besën, që ishte paraqitur në këtë sfidë me pretendimin për të fituar: pikët e plota do t’u jepnin mundësi verdhezinjve të ngushtonin diferencën me Dinamon kryesuese. Por, pas leksionit të marrë në mesjavë, ata qëndrojnë në -12 pikë nga vendi i parë, e duhet të mbrohen nga “sulmet” e Tiranës.
Seria e golave u hap në minutën e 26-të të takimit, kur kroati Jurika Puljiz u frenua në mënyrë të parregullt brenda zonës nga mbrojtësi kundërshtar, Renato Arapi. Ekzekutimin nga pika e bardhë e mori përsipër kapiteni i vlonjatëve, Artan Sakaj, i cili e dërgoi sferën pas shpinës së portierit Orges Shehit, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij. Flamurtari dyfishoi rezultatin kur kronometri tregonte 70 minuta lojë, me sulmuesin Migen Memelli. I ndodhur vetëm pak hapa larg portës kavajase, golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. Ky ishte goli i parë i sulmuesit 29-vjeçar me fanellën kuqezi: devijimi i fuqishëm me kokë mbylli virtualisht ndeshjen, por ka shërbyer edhe për moralin e Memellit, që në takimin e fundjavës në Peqin humbi një penallti. Triumfi i vendasve u kompletua nga rrjeta e minutës së 85-të, e realizuar nga shqiptaro-maqedonasi, Njazi Lena, i afruar në Vlorë vetëm gjatë merkatos së dimrit.
Kjo ishte humbja e tretë për Besën në 19 javë të luajtura deri më tani në edicionin 2009-’10. Të dielën, të besuarit e Duros i pret një sfidë mjaft e vështirë për javën e 20-të, ku do të presin në fushën e tyre Kastriotin, që vjen nga dy fitore radhazi (me Skënderbeun dhe Gramozin). Ndërkohë, Flamurtari ka shansin më të mirë që të vazhdojë konsolidimin e pozitave në elitë: të dielën, vlonjatët do të luajnë sërish në fushën e tyre përballë Apolonisë, që është në krizë të plotë dhe tri pikët duken formalitet.
#