Babst: Ballkani për NATO-n, “biznes i papërfunduar”
NATO do të qëndrojë me trupa në Kosovë, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin. Kjo dëshmon se nuk ka rënie të interesit të aleancës për rajonin. Po ashtu për NATO-n, Ballkani mbetet një “biznes i papërfunduar”, ndërsa rajoni nuk ka përfunduar proceset integruese euroatlantike.
Këtë deklaratë e ka dhënë ditën e sotme Stefanie Babst, zv.asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Divizionin e Diplomacisë Publike, në një intervistë për “Deutsche Welle”.
Babst ka thënë se NATO është e angazhuar në këtë rajon prej më tepër se dhjetë vitesh.
“Lidhur me Kosovën, KFOR- i është i pranishëm atje dhe do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa do të duhet për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin. Edhe pse NATO po rishikon me shumë kujdes praninë e saj ushtarake në Kosovë, Aleanca Atlantike është e mendimit se Kosova ka ende nevojë për një angazhim ushtarak në vazhdim, për t`u siguruar vërtet që në Kosovë ka siguri dhe stabilitet. Pra NATO do të vazhdojë të ketë në Kosovë prani ushtarake dhe do të mbështesë të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga Forcat e Sigurisë së Kosovës për të qenë të sigurt, që këto forca janë në gjendje të plotësojnë misionin e tyre”, ka thënë Babst.