E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryetari i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self: Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë

Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë (duke përjashtuar Ukrainën). Kështu deklaroi Keith Self, Kryetari i Nënkomitetit të Punëve të Jashtme për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, gjatë një seance dëgjimore të posaçme për rajonin, ku ndër të tjera ka kritikuar ngecjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe ngriti zërin për një çështje shpesh të anashkaluar: pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Raportet e përhapura të pasivizimit të Luginës së Preshevës janë të dokumentuara mirë… duke pretenduar se po bëhet një përpjekje e përbashkët për të hequr qafe luginën nga shqiptarët etnikë,” deklaroi ai, duke e lidhur këtë me luftën hibride që kundërshtarët e Amerikës po bëjnë në rajon. Kongresmeni shprehu shpresën se pas zgjedhjeve të mundshme në Kosovë, Serbia “më në fund do ta njohë sovranitetin e Kosovës”.

Self akuzoi Rusinë dhe Kinën për destabilizim aktiv në Ballkan.

Rusia, sipas tij, përdor Serbinë dhe Milorad Dodikun në Bosnje për të kërcënuar me shkëputje dhe për të minuar NATO-n.

Ndërsa Kina, theksoi ai, po dërgon armë në Serbi dhe po kryen stërvitje ushtarake, dhe se “po shfrytëzon korrupsionin për marrëveshje ekonomike”.

Self përmendi sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, duke kujtuar paralizimin e shërbimeve në Tiranë verën e kaluar.

Ai foli dhe për reformën në drejtësi, duke cituar shifra të stokut të dosjeve.

Self deklaroi se pas një dekade zbatimi, ka ardhur koha të rishikohet nëse kjo reformë po funksionon siç është menduar.

 “Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur në Shqipëri. Megjithatë, pas dhjetë vitesh zbatimi, është e përshtatshme të rishqyrtohet nëse reforma në drejtësi po funksionon siç është menduar,” tha Self.

Në mbyllje, ish-ushtaraku që ka shërbyer në Evropë gjatë luftës së Kosovës (1999), bëri thirrje për një qasje të re amerikane.

“Lidershipi amerikan duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit. E përgëzoj administratën Trump për riangazhimin e saj në këtë rajon shpesh të anashkaluar,” përfundoi Self.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›