E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bagdad, atentat i trefishtë, në shënjestër ambasadat e huaja

Objektivi i sulmeve që shkaktuan 30 viktima, kanë qenë ndërtesat e përfaqësive diplomatike

Të paktën 30 persona kanë vdekur dhe 160 të tjera janë plagosur në Bagdad në tre shpërthime të kryera me autobomba përpara ambasadave të Iranit, Egjiptit dhe një rezidence të ambasadës gjermane. Sipas “France Press” të paktën 2 prej shpërthimeve janë shkaktuar nga autobomba dhe kanë dëmtuar më rëndë ambasadën iraniane. Tre kamikazët iu afruan objektivave teksa drejtonin makina të mbushura me eksploziv. «Kanë ndodhur sulme vetëvrasëse kundër ambasadave iraniane dhe egjiptiane”, ka konfirmuar zëdhënësi i forcave të sigurisë duke shtuar se shpërthimi ka prekur edhe rezidencën gjermane. Burimet diplomatike iraniane dhe egjiptiane bëjnë me dije se nuk ka pasur viktima mes personelit.

Rreth orës 12 të mëngjesit me orën lokale dy makinat e para shpërthyen në lagjen perëndimore të Mansur, përpara ambasadës egjiptiane dhe një rezidence të ambasadës gjermane. Në atë zonë gjenden një numër i madh përfaqësish të huaja diplomatike. Në fakt, edhe vet ministri i punëve të Jashtme spanjolle ka deklaruar se edhe ambasada e tyre ka pësuar dëmtime nga tre sulmet kamikaze kundër selive të huaja diplomatike që sipas bilancit të fundit shkaktuan 30 të vdekur dhe 160 të plagosur. “Në mëngjes ndodhi një shpërthim afër ambasadës tonë në Bagdad, pa pasur viktima. Megjithatë ndërtesa pësoi dëme të shumta materiale. I njëjti shpërthim ka prekur rëndë rezidencën gjermane”, u bë e ditur në një komunikatë. Pak më vonë, qendra e Bagdadit u trondit nga një shpërthim tjetër përpara ambasadës iraniane, i cilësuar menjëherë si shumë i fuqishëm. Në atë moment rrugët ishin bllokuar nga një trafik i dendur dhe shumë prej viktimave ishin pasagjerë dhe shoferë.

Bilanci i atentateve u duk menjëherë i rëndë dhe u rëndua me kalimin e orëve. Shumë prej të plagosurve janë ende në spital në gjendje të rëndë. Shpërthimet ndodhën rreth pesë minuta njëri nga tjetri. Atentatet u kryen në momentin kur po zhvillohen pwrpjekjet për krijimin një qeverie të re pas zgjedhjeve të 7 marsit të fituara nga ish kryeministri Iyad Allaëi, rezultat që u kontestua nga kryeministri në largim Nour Al Maliki. Sulmet me autobomba pasuan sulmet e disa orëve më parë ku një komandë e veshur me uniformat e ushtrisë amerikane vranë rreth 24 persona në një zonë me shumicë sunite në periferinë jugore në Bagdadit. Autoritetet thonë se atentatorët kanë hyrë në disa shtëpi në agim në fshatin Sufija. Më pas ata kanë vrarë 20 burra dhe pesë gra.

Viktimat besohet se janë mbështetës të milicisë lokale sunite dhe luftojnë kundër Al Qaedës që prej tre vjetësh.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›