Bajden paraqet përparësitë e politikës së jashtëme amerikane

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, paraqiti përparësitë e politikës së jashtëme të administratës së re amerikane gjatë një fjalimi të hollësishëm që mbajti sot në konferencën e 45 vjetore të sigurimit në Mynih.
Nënpresidenti Bajden në Konferencën e Mynihut
Zoti Bajden tha se administrata e Presidentit Barak Obama do ta verë theksin më tepër te diplomacia, demokracia dhe zhvillimi se sa te përdorimi i forcës ushtarake. Por ai shtoi se Uashingtoni nuk do të ngurrojë të mbrojë interesat e tij përmes forcës nëse kjo do të kërkohet.
Ai tha gjithashtu se ndërkohë që Shtetet e Bashkuara rishikojnë politikat e tyre të jashtëme, ato do të kërkojnë të njëjtën gjë nga aleatët. Nënpresidenti tha se shpreson që vendet e NATO-s të shtojnë kontributin në Afganistan.
Ky është fjalimi i parë i rëndësishëm për politikën e jashtëme dhe i pari jashtë Shteteve të Bashkuara që mban një zyrtar i lartë i administratës Obama që nga inaugurimi i presidentit të ri muajin e kaluar.
Zoti Bajden tha se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të riparojnë marrëdhëniet me Rusinë, aspekt ku sipas tij ka patur një "shkarje të rrezikshme”. Ai tha se dy vendet mund të kenë ende mosmarrëveshje për disa gjëra por mund të punojnë së bashku aty ku interesat e tyre përputhen.
Zoti Bajden tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të zhvillojnë mbrojtjen nga raketat për t'ju kundërvenë shtimit të aftësive ushtarake të Iranit, por do ta bëjnë këtë në konsultim me aleatët e NATO-s dhe me Rusinë. //ii