E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni kualifikohet me goleadë, ndalet Inter

Bajerni pas triumfit ndaj Bazel

Bavarezët, shtatë gola Bazelit të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës.

Zikaltrit fitojnë, por eliminohen nga Championsi.

Bajerni dhe Marseja kualifikohen për në fazën tjetër të Kupës së Kampioneve. Gjermanët eliminuan Bazelin, ndërsa francezët “hoqën qafe” Interin e Klaudio Ranierit. Bajernit i kanë mjaftuar vetëm 11 minuta për të gjetur golin e parë, i cili balancoi atë të ndeshjes së parë të luajtur në Bazel (zviceranët kishin fituar 1-0). Pas këtij goli nisi edhe goleada e bavarezëve, të cilët dominuan totalisht lojën, duke mos u dhënë mundësi kundërshtarëve që të krijonin qoftë edhe një sulm të vetëm në portën e mbrojtur nga Nojer. Pas disa aksionesh dhe rastesh të humbura nga Gomez dhe Riberi, një gabim në mesfushë i miqve solli krosin në zonë të Roben për Myler, i cili parakaloi Granit Xhakën duke shtyrë topin drejt rrjetës. Nga ky moment Bajerni është i kualifikuar, por gjigantët e Gjermanisë nuk kënaqen me pak. Kur duhej vetëm një minutë që të përfundonte pjesa e parë, trefishon Mario Gomez, i cili shfrytëzoi më së miri një top të dhënë paralelisht me vijën e portës nga ana e Toni Kros. Në pjesën e dytë është e njëjta muzikë: Bajerni që sulmon dhe dominon dhe Bazeli që, edhe pse në disavantazh të tre golave, nuk arrin të ushtrojë presion te porta e Nojer. Mario Gomez vazhdon të tregojë se është në një formë të shkëlqyer, teksa në minutën e 50-të shënon edhe golin e katërt. Sulmuesi do të siglonte edhe dy gola të tjerë në harkun e vetëm 6 minutave, ndërsa “kapakun” kësaj sfide ai vendosi sërish holandezi Arjen Roben, në minutën e 81-të. Në këtë ndeshje luajtën si titullarë edhe Shaqiri dhe Xhaka, por që të dy talentet kosovare nuk mundën të bëjnë asgjë për të ndalur Bajernin. I ka dhënë lamtumirën Championsit edhe Inter, ndonëse në një mënyrë krejt tragjike. Zikaltrit pasi u mundën në takimin e parë 1-0 në minutën e fundit, të njëjtën gjë pësuan edhe mbrëmë. Edhe pse Milito shënoi në minutën e 75-të, Interi pësoi gol në minutën e 90-të, duke bërë që penalltia e tri minutave më vonë shënuar nga Pacini të mos kishte shumë vlerë, pasi francezët kalojnë në fazën tjetër për shkak të golit të shënuar në fushën kundërshtare. Deri tani janë kualifikuar Barcelona, Milan, Benfika, Bajern, Marseja dhe Apoeli dhe sonte do mësohen edhe dy të kualifikuarit e fundit të tetë ekipeve më të mira të këtij kompeticioni, të cilat do vazhdojnë rrugën drejt finales.

Liverpul
Liverpuli ka fituar derbin 3-0 me Evertonin mbrëmjen e djeshme, ndeshje kjo e prapambetur në kampionatin anglez të futbollit. Kapiteni Stiven Zherard shënoi në minutat 34, 51 dhe 90, duke mundur kështu i vetëm “kushërinjtë” e urryer. Me këtë fitore Liverpuli mbetet sërish jashtë “valles” së Kupës së Kampioneve, pasi ndodhet në vendin e shtatë me 42 pikë.

Skeda
Bajern        7

Basel        0
Shënues: Roben 11′, 81′, Myler 42′, Gomez 44′, 50′, 61′, 67′
K.të verdhë: Streller
Bajern: Nojer, Lahm, Boateng, Badshtyber, Alaba, Luiz Gustavo, Kros, Roben (Timoshuk 82′), Myler (Shvainstaiger 70′), Riberi (Pranjiç 78′), Gomez. Trajner: H.Hejnkes
Basel: Somer, Steinhofer (F.Degen 70′), Abraham, Dragoviç, Jo-Ho Park, Xh.Shaqiri (Daogari 80′), Kabral, G.Xhaka, F.Frei (Stocker 61′), A.Frei, Streler. Trajner: H.Vogel

Skeda
Inter        2

Marsej렠      1
Shënues: Milito 75′, Pacini 90+4′ (p)/ Brandao 90′
K.të verdhë: Zaneti, Samuel/ Diavara, Mandanda
Karton i kuq: Mandanda 90+3′
Inter: Julio Sesar, Maikon, Lusio, Samuel, Nagatomo, Poli (Kambiaso 74′), Stankoviç, Zaneti, Shnajder (Obi 58′), Milito, Forlan (Pacini 58′).
Trajner: K.Ranieri
Marseja: Mandanda, Azpilikueta, Diavara, N´Kou-lou, Morel, Alou Diarra, M´Bia, Amalfitano, Valbuena (Sheru 77′), Ajev, Remi. Trajner: D.Deshamp

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›