E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajko-Hafizi, duel ish-trajnerësh kuqezi në Lezhë

Në fazën e parë Tirana humbi në mënyrë të turpshme me Besëlidhjen në kryeqytet (0-1), cka konfirmoi edhe krizën e thellë së bardhebluve asokohe duke pasur një trajner të komanduar në stol, si Ardian Mema. Tashmë, humbja me lezhjanët duket një kujtim i largët, pasi Tirana në drejtimin Astrit Hafizit ka rigjetur jo vetëm veten, por po shfaq dhunshëm dimensionet e kampiones në fuqi.
HAFIZI – Ish-trajneri i Kombëtares do të gjejë në Lezhë, një tjetër ish-teknik të përfaqësueses, Neptun Bajkon, i cili është prej një jave në drejtim të Besëlidhjes. Ironikisht të dy trajnerët i lidh një "nyje" jo e vogël, pasi Hafizi e morri bankinën e kuqezinjve, pikërisht pas dorëheqjes së ish-trajnerit të Partizanit menjëherë pas humbjes 0-3 në "Qemal Stafa" me Portugalinë.
FITORE - "Detyra e Tiranës edhe sot është fitorja, pavarësisht vështirësisë që i ofron transferta me Besëlidhjen. Natyrisht që do të jetë e vështirë dhe ne të tillë e konsiderojmë, por jo të pakalueshme, - tha Hafizi, gjatë konferencës së tij për shtyp. "Ne jemi Tirana dhe si të tillë nuk kemi asnjë alternativë tjetër. E rëndësishme për ne në këto momente është të ruajmë distancën me kreun. Sot fitoi edhe Partizani kështu që kjo diferencë shkoi në 9 pikë".
BAJKO – Ish-trajneri i Partizanit është shumë i ftohtë me median dhe deklarimi i tij (i zakonshëm) është shumë lakonik: "Besëlidhja është duke punuar". Konsideratat për kundështarin e radhës janë edhe më të shkurtra: "Tirana është një ekip i fortë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›