Bajrami:Sejdiu nuk mund të paditet në Gjykatën Kushtetuese
Viti i zhvillimit të zgjedhjeve në Kosovë, është shndërruar në mollë sherri midis partive politike në vend. Opozita kërkon që zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen gjatë këtij viti, ndërsa dy partitë më të mëdha në pushtet, LDK dhe PDK, kanë vendosur tashmë që zgjedhjet të zhvillohen në 2011. Së fundi, partitë opozitare thanë se do të padisin presidentin Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese për vendimin e tij për zgjedhjet. Ministër i Shërbimeve Publike dhe udhëheqës i Komisionit për themelimin e Gjykatës Kushtetuese Arsim Bajrami, thotë se "Presidenti nuk mund të paditet në Gjykatën Kushtetuese". "Ai mund të paditet në instanca të tjera, ku nuk gëzon imunitet. Ndaj presidentit mund të ngrihet një procedurë e shqyrtimit eventual të shkeljes së Kushtetutës, që është tipike për shumë Kushtetuta të vendeve demokratike", tha Bajrami për DV. Sa i përket zgjedhjeve, Bajrami thotë se në bazë të Kushtetutës, vendimi merret nga Presidenti i Republikës. "Në Kosovë mund të ketë dy lloj zgjedhjesh, zgjedhje të rregullta dhe zgjedhje të jashtëzakonshme", tha Bajrami duke shtuar se "në Kosovë nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse situata është e qëndrueshme". Gjykata Kushtetuese, thotë ai, duhet të shqyrtojë kërkesën e opozitës për zgjedhjet, por ai konsideron se ky rast është shumë i lehtë për Gjykatën, sepse nuk bëhet fjalë për kurrfarë shkeljesh të Kushtetutës.