E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajramin e fton Suedia

Emir Bajrami është ftuar në përfaqësuesen A të Suedisë për dy ndeshjet miqësore të radhës. Futbollisti kosovar është pjesë e 23 futbollistëve të ftuar nga selektori Erik Hamren, për miqësoret ndaj Bosnje e Hercegovinës, që zhvillohet më 29 maj dhe ndaj Bjellorusisë më 2 qershor.

Mesfushori ofanziv do të jetë pjesë e ekipit të seniorëve të suedezëve vetëm në ndeshjen e parë, ngase ai më pas do t’i bashkohet përfaqësueses U21 të Suedisë në dy ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për Kampionat evropian. U21 e vendit skandinav do të ketë dy përballje në ditët e para të qershorit: më 4 qershor kundër Izraelit dhe më 8 qershor ndaj Malit të Zi.

Përpos Bajramit, në grumbullimin e U21 të Suedisë, që bëhet më 30 maj, janë ftuar edhe dy futbollistë tjerë kosovarë. Bëhet fjalë për sulmuesit Agon Mehmeti (Malmo) dhe Erton Fejzullahu (NEC Nijmegen). Suedia U21 bën pjesë në Grupin 6 të kualifikimeve për Evropian. Ndeshja me Izraelin zhvillohet në orën 18 00 në Tel Aviv, kurse me Malin e Zi në Halmstad, në orën 19:15.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›