E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakaj ndjehet gati: Mos më thoni më lojtar i ri

Elis Bakaj, mesfushori i Dinamos së Bukureshtit është padyshim një nga talentet më të mëdha të 5 viteve të fundit të futbollit shqiptar. Pas transferimit në janar, nga Dinamo e Tiranës tek ajo e Bukureshtit, ku 23-vjeçari ka luajtur idsa ndeshje si titullar duke shënuar edhe 4 gola, Bakaj beson se për të ka ardhur momenti i duhur, ai moment për të cilin lojtari plot teknikë ka pritur. “Unë e kam ndjerë veten gjithmonë në formë, por aktivizimi ose jo janë çështje të trajnerit. Edhe fakti se luaj jashtë do më ndihmojë, pasi dihet se nëse luan në një kampionat më të fortë se ai shqiptar, atëherë do të rritesh shumë si futbollist,” thotë Elisi, që më pas shton: “Unë besoj se e kam dhënë sinjalin dhe me klubin ku luaj. Unë do të mundohem që ta fitoj vendin në kombëtare. Ne nuk mund të quhemi më lojtarë të rinj. Por vendimet janë në dorë të trajnerit, nëse ai e sheh të arsyeshme që unë duhet të luaj kaq minuta, do të përpiqem të jap maksimumin.” Në fund të fjalës së tij gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Bakaj deklaron se ndaj Bosnjes do të synohet rezultati pozitiv, madje kuqezinjtë duhet të përfitojnë sa më shumë nga lodhja e boshnjakëve, që do të ndeshen më parë me Rumaninë në Bukuresht. “Bosnja është një ndeshje shumë e vështirë dhe ata janë një ndër ekipet më të mira të Ballkanit, por ne e kemi treguar se nëse luajmë të bashkuar do të arrijmë të marrim rezultate të mira. Kemi një formë të mirë, që e treguam në ndeshjen e fundit, kam besimin se nga Bosnja do të kthehemi me një rezultat pozitiv. Ndeshja e tyre me Rumaninë? Normalisht që është pozitive për ne duke ditur që ata luajnë 3 ditë para me Rumaninë dhe këta të fundit duhet të fitojmë. Presioni atje është shumë i madh sepse Rumania duhet të fitojë që të hyjë në vallen e kualifikimit.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›