E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakojanis me akuza të ashpra ndaj Gruevskit

Duket pra se rifillimi i negociatave midis Athinës e Shkupit, javën e kaluar, nuk ka shtuar asnjë progres në maratonën e mosmarrëveshjes 20 vjeçare midis të dy vendeve fqinje.

Ministrja e jashtme, Dora Bakojanis është shprehur se mesazhet e Athinës ndaj Shkupit, janë në të njëjtën kohë mesazhe të të gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Por kritikat e saj ishin të ashpra për kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski : “Ai kujton se me inaugurime dhe falsifikime mund të rishkruajë historinë”, tha ministrja e jashtme.

Zonja Bakojanis theksoi angazhimin e palës së vet për të vazhduar negociatat me frymë konstruktive, me objektiv arritjen e një zgjidhjeje reciprokisht të pranueshme, pa fitimtarë dhe të humbur.

Ministrja e jashtme greke parashikoi se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë kritike, për të ashtuquajturat probleme të mëdha kombëtare, siç është ai i emrit të Maqedonisë, apo marrëdhëniet me Turqinë.

Deklaratat e ashpra të ministres së jashtme greke pasojnë refuzimin e Athinës ndaj gatishmërisë që shprehur nga qeveria maqedonase, për të kontribuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve të fundjavës në Greqi.

Zëdhënësi i qeverisë greke tha se pala maqedonase ofroi helikopterë dhe automjete zjarrfikëse. Ai e falenderoi vendin fqinj dhe la të kuptohej se vendimi për refuzimin nuk kishte nuancë politike.

Autoritetet greke që u ishte përcjellë oferta e palës fqinje, gjykuan se oferta nuk përputhej me nevojat që kishte vendi në këto momente, tha zëdhënësi.

Ky ishte rasti i dytë që Greqia refuzon me mirësjellje ndihmën e Maqedonisë përballë zjarreve.

Reagimet nga Maqedonia
Ndërkohë në Maqedoni nuk ka patur reagime nga zyrtarë pas deklaratave të Ministres së Jashtme Greke.
Kryeministri Nikolla Gruevski edhe ministri i jashtëm Antoni Milloshovski, nuk janë në Maqedoni, pasi ndodhen për një vizitë zyrtare në Kanada.

Për çështje kaq delikate siç është çështja e emrit, zyrtarët e tjerë përmbahen të japin deklarata.
Komente ndërkohë nuk ka patur as nga Kabineti i Presidentit, Gjorge Ivanov, i cili gjithashtu është i përfshirë në procesin e negociatave.

Të vetmet reagime, nëse mund të thuhet ashtu, janë ato të mediave. Shumica e tyre kanë përcjellë deklaratat e ministres së jashtme greke Bakojanis.

Por edhe vetë mediat nuk japin komente të gjata, siç mund të ketë ndodhur më parë. Kjo ka të bëjë mbase edhe me faktin se deklaratat e znj. Bakojanis, janë të ngjashme me ato të negociatorit grek, Vasilakis pas takimit që pati ai me negociatorin i Maqedonisë, Jolevski me ndërmjetësin e OKB-së, Mathew Nimetz.

Autoritetet kanë bërë të ditur se do të jenë më të përmbajtur në ditët në vijim. Edhe zyrtarët në Shkup më herët kanë pranuar se negociatat po hynë në një fazë kritike.

Ajo që dihet tashmë është se Shkupi zyrtar do të presë një reagim të parë nga z. Nimetz. Pritet që ndërmjetësi i OKB-së t'u japë autoriteteve bë Shkup dhe Athinë një raport, nga i cili do të shihet se sa janë afruar palët me qëndrimet e tyre.

Mediat njoftuan se z. Nimetz do bëjë edhe korrigjime të tjera të propozimeve të tij.

Megjithatë tashmë pranohet se në qendër të këtij propozimi është emri “Republika Maqedonia veriore”.

Mediat në Shkup citojnë burime diplomatike, të cilat thanë se për Maqedoninë mbiemri “veriore” mund të jetë i pranueshëm, por vetëm nëse vendoset para ose pas emrit kushtetues “Republika e Maqedonisë”.

Megjithatë, asnjë nga përfaqësuesit qeveritarë në Shkup nuk ka dhënë detaje zyrtare. 

start/bbc

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›