Baku: Naftëtari, jomodest përpara Partizanit
Në kampin kuçovar po mendohet seriozisht për fazën e dytë, me shpresën për ngjitjen në kategorinë e parë. Duhet thënë se përgatitjet kanë filluar shumë shpejt, që më 9 janar. Skuadra kuçovare është stërvitur në ambientet sportive pranë qytetit naftëtar, kryesisht në Fushën e Aviacionit. Ndërkohë, janë luajtur edhe ndeshje miqësore, të gjitha jashtë fushe, ku bilanci është pozitiv.
Përpara startit të fazës së dytë, Naftëtari ka zhvilluar ndeshjen e fundit miqësore me Tomorin në Berat, ku është mundur 2-0, por në pjesën e pare, me formacionin më të mire, ka bërë një paraqitje të kënaqshme.
Ishte prova e fundit për Naftëtarin dhe futbollistët duken të impenjuar para fillimit të fazës së dytë. Mbrojtësi Klodian Baku, një nga pikat më të forta të skuadrës, shprehet i bindur për një paraqitje positive: “Po përgatitemi me qetësi për fazën e dytë, ku do të kërkojmë të marrim kreun e grupit.
Besoj se kemi një skuadër më të mirë se fazën e pare dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të kapur vendin e parë. Jemi pozicionuar në vend të dytë, por nuk kemi pse të jemi modestë. Kërkojmë më shumë, pavarësisht se do të kemi përballë një emër të njohur të futbollit shqiptar, Partizanin.
Përveç tij, pa dyshim që i respektojmë edhe ekipet e tjera të grupit. Rivaliteti do të jetë i madh në grupin tonë, por besoj se do t’ia dalim. Organizimi i klubit është serioz dhe premtues për të ardhmen. Presim rifillimin e kampionatit dhe shpresojmë shumë për një një start me fitore. Fazën e dytë e kemi vlerësuar maksimalisht në të gjitha drejtimet, sepse jemi pretendentë të fortë për ngjitjen në kategorinë e parë, u shpreh Baku.
