E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shupe: Gramozi shpërdoroi shumë në Fushë-Krujë

Nga Kristi Lilo

Kur të gjithë menduan se e keqja kaloi dhe Gramozi do të stërvitej në kushte normale, në Ersekë kanë rinisur reshjet e borës, madje me intensitet të lartë, duke arritur një trashësi prej 30 cm. Edhe temperaturat janë ulur nën zero gradë dhe po ia vështirësojnë së tepërmi punën trajnerit Qirjako, i cili e ka shpërngulur përsëri ekipin në palestër.

Ajo që i shqetëson më shumë momentalisht drejtuesit e ekipit dhe futbollistët ka të bëjë me faktin se a do të luhet ndeshja e radhës. Nga bashkia mësohet se sot do të nisë puna për pastrimin e fushës, por gjithçka mbetet në varësi të motit.

Gramozi humbi me Ilirinë në Fushë-Krujë, ku të gjithë prisnin rezultat pozitiv, duke gjykuar nga afrimet e bëra në merkato. Futbollistët e Gramozit duket se e kanë tepër të vështirë ta gjejnë veten në transfertë, kështu që të paktën në shtëpi nuk mund të gabojnë, sepse pozicioni në tabelën e klasifikimit është delikat. Pas humbjes me Ilirinë të gjithë janë të ndrojtur për tu shprehur.

Hymë në fushë të mobilizuar për të bërë më të mirën, por e kishim shumë të vështirë të shënonim. Ky fakt na mundoi shumë. Sa më shumë kalonin minutat, aq më tepër rëndoheshim nga ana psikologjike. Duke parë ato raste që krijuam te porta vendëse, mendoj se fati ishte me portierin e Ilirisë. Ekipi vendës luajti shumë i mobilizuar, sepse kërkonte dy gëzime, pra bashkë me inaugurimin e stadiumit edhe fitoren.

U ndëshkuam me një gol që në fillim të pjesës së parë dhe  pësuam një humbje, që them se nuk e meritonim, tha shkurt kapiteni Shupe, një nga futbollistët më të vjetër të Gramozit. Pas humbjes së fundit, kolonjarët duhet ti bëjnë mirë llogaritë për të mos i komplikuar më tepër pozitat në fundin e tabelës së klasifikimit.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›