E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bale zgjidhet Lojtari i Vitit nga PFA

Anësori i Tottenhamit, Gareth Bale, është shpallur Lojtari më i Mirë i Vitit nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionist, duke mposhtur mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri, i cili përfundoi i dyti, dhe sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, i cili ishte i treti.

Ish-i riu i Southampton famën më të madhe e shijoi këtë sezon duke ndihmuar Spursat të arrijnë deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Jam më shumë se i kënaqur, vërtet. Është një shpërblim i madh dhe është një nder i madh ta pranoj këtë, veçanërisht nga profesionistët tjerë. Është vërtet një nder kur shikoni në emrat të cilët e kanë fituar atë më herët dhe kjo ju bën të thoni ‘wow’”, ka thënë Bale.

Uellsiani ishte i nominuar edhe për shpërblimin Lojtari i Ri i Vitit, të cilin e fitoi mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere.

PFA po ashtu ka zbuluar edhe Ekipin më të Mirë të Vitit ku dominojnë lojtarët e Manchester United dhe Arsenali.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›