E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka përfunduar

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola mendon se skuadra e tij nuk e ka siguruar titullin e ri në La Liga, edhe pse ruajtën epërsinë prej tetë pikëve pas barazimit 1-1 me Real Madridin, të shtunën. Ndërsa, homologu i tij, Jose Mourinho është lodhur së luajturi me 10 futbollistët dhe dëshiron që një gjë e tillë t’i ndodhë edhe gjigantit katalan. Nga Express më 18 prill 2011 në ora 09:22

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka insistuar se gara për titull në La Liga nuk ka marrë fund pas barazimit të ekipit të tij 1-1 me Real Madridin, të shtunën. Komentet e Guardiolës vijnë edhe pse skuadra katalane ka tetë pikë epërsi ndaj rivalit më të përafërt, Realit me vetëm gjashtë ndeshje deri në fund.

Lionel Messi e kaloi Barcelonën në epërsi duke realizuar nga penalltia në fillim të pjesës së dytë, kur Raul Albiol u përjashtua me karton të kuq, pas ndërhyrjes ndaj David Villës, por Cristiano Ronaldo e barazoi rezultatin tetë minuta para fundit, po ashtu nga penalltia.

“Nuk jemi ende kampionë. Kemi tetë pikë epërsi, por janë edhe gjashtë ndeshje të mbetura”, tha Guardiola, i cili lavdëroi vendimin e homologut të tij, Jose Mourinho për inkuadrimin e Pepes në mesfushë, ndërsa futbollisti portugez luajti rol vendimtar në lojën e skuadrës madrilene duke ndërprerë lojën e rrjedhshme të Barcelonës.

“Kemi pritur diçka të tillë. Pepe është futbollist i fuqishëm, shumë me përvojë dhe ka qenë shumë i vështirë (për t’u mposhtur). Duke pasur parasysh kualitetet e tij, e kemi ditur se di të luajë mirë, andaj kjo nuk paraqiti befasi për ne”, theksoi ai.

Guardiola po ashtu i siguroi tifozët e Barcelonës se Carles Puyol nuk ka pësuar ripërtëritje të lëndimit të gjurit që e kishte mbajtur jashtë fushës për tre muaj më herët gjatë këtij sezoni.

“Është lëndim tjetër. Ai dha mund të madh. Mendoj se është një tërheqje e vogël për shkak të zgjatjes dhe tensionit. Ende duhet të bëjmë kontrollime të tjera para finales në Copa del Rey”, vazhdoi ai.

Guardiola insistoi se nuk kishte parë vendimet e diskutueshme të gjyqtarit të ndeshjes, por Mourinho sigurisht se po, derisa shprehu dëshpërimin e tij me standardin e ndarjes së drejtësisë.

Mourinho beson se Albiol u ndëshkua ashpër dhe mendon se i njëjti dënim është dashur t’i jepej edhe Dani Alvesit për ndërhyrjen e tij ndaj Marcelos, që u sanksionua me penallti dhe golin e barazimit nga Ronaldo.

“Në pjesën e parë të dy ekipet ishin të barabarta. Ne luajtëm në mënyrë kompakte. Fitorja është fitore dhe një barazim është barazim, por ne duhet të nxjerrim shenja pozitive nga kjo ndeshje. Çka kërkojmë është të kemi vendime të barabarta për të dy ekipet. Rregullat janë të njëjta dhe jam i lodhur së luajturi me 10 futbollistë. Raul Albiol do të mungojë edhe në finalen e Kupës për një ndërhyrje që nuk ishte asgjë. Qasja e gjyqtarit ndryshoi me vendimin për mospërjashtim të Daniel Alvesit. Do të doja që për herë të parë të luaj kundër një Barcelone me 10 futbollistë”, deklaroi Mourinho.

Real Madridi dhe Barcelona do të takohen mes vete përsëri të mërkurën, në finalen e Copa del Rey, në stadiumin Mestalla, ndërsa do të vazhdojnë maratonën e ndeshjeve me takim në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›