Baleti i Kadaresë dhe katër të tjerë
Vepra e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të jetë premierë baleti në Teatrin e Operës dhe Baletit, që do të realizohet me koreografi të Agron Aliajt. Kjo vepër vjen si memorial në 100 vjetorin e lindjes së Nikolla Zoraqit, muzikën e së cilës e ka kompozuar. Kjo është një nga veprat e para që do ndeshim në kalendarin që ka miratuar dje bordi artistik i TOB, për vitin 2009. Ky vit do të quhet dhe viti muzikor i Zoraqit. Ndërsa deri në fund të 2009 kalendari shënon ribashkëpunim, dhe rikthim të artistëve shqiptarë me famë jashtë vendit. Ilir Kerni, Leonard Ajkun, apo Tedi Papavrami do të jenë prezentë sërish duke drejtuar tashmë veprat e baletit dhe operistike.
Shkurti pritet të risjellë produksion e TKOB, veprën e Bellinit, operan “Norma”. Nuk janë publikuar emrat e protagonistëve që do të interpretojnë, por duket se kalendari më shumë do t’i takojë një repertori jo shumë të rënduar operistik.
Në 12 muaj katër premiera operistike do të ngjiten në skenë; në prill pritet një produksion TKOB me ASC “U. Giordano”-Foggia, për operën “Andrea Chenier”, të U. Giordano; në maj vlerësohet si grand premierë vepra e G. Verdit “Falstaff”; në tetor vjen një bashkëpunim shqiptaro-amerikan me autor G.Gershwin, vepra quhet “Progy and bess”, ndërsa në nëntor shënohet premiera e fundit, që mbyll vitin, e quajtur dhe kjo absolute, opera “Salom” e R. Strauss.
Në shkurt është për të shënuar se do të jetë një mbrëmje akademike kushtuar njëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, “Përvjetori historik”.
Duket si program special dhe festimi i vitit ndërkombëtar muzikor i “J. Haydn”, me krijimtarinë “Die Schopfung”, orator i inskenuar në koreografi nga i ftuari Tony Candelero. Në këtë homazh, përvjetorësh, hyn dhe cikli “Festivali koncertor i majit në opera”, me rastin e 100 vjetorit të artistes “Jorgjie Truja” që do të kurorëzohet me një mbrëmje koncertore të finalistëve të konkursit
Në vazhdën e festimeve, si vit i “Zoraqit”, vjen dhe mbrëmja simfonike “Zoraqi”, me protagonist Papavramin dhe Ripon. Dy suita baleti do të jenë në mesin qershorit si vënie e “Ajkun production”, Nju Jork, me protagonistë muzikorë A. Glazunov, dhe H. Hcajturjan, me veprat “Rajmonda” dhe “Spartakus”, të dyja të realizuar nga koreografi shqiptar, Leonard Ajkun.
Ajo që është për t’u shënuar, që duket i është ngjitur rregullisht axhendës së TKOB-it, është prezenca e koreografit Ilir Kerni. Edhe fundvitin e 2009-ës, ai do të jetë në krye të grand-premierës së A. Cajkovskijt me veprën “Arrëthyesi”.