Buxheti i Tiranës, Rama: Nuk do të ndryshojë
Konflikti në Këshillin Bashkiak të Tiranës për buxhetin e kryeqytetit nuk duket se do të marrë fund. Pas reagimit të këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike se nuk do ta votojnë buxhetin, në rast se nuk kryhen ndryshimet e nevojshme, kryetari Rama ka deklaruar se projektbuxheti nuk do të ndryshojë duke u bërë thirrje këshilltarëve që ta votojnë.
Duke sjellë në kujtesë dëgjesat publike në çdo njësi bashkiake, Rama ka theksuar se këshilltarët duhet të votojnë buxhetin, pasi nuk do të pësojë asnjë ndryshim. “Buxheti nuk do të pësojë asnjë ndryshim, pasi kjo do të ishte një tradhti ndaj kontributit dhe interesave të mijëra e mijëra qytetarëve që kishin dhënë pëlqimin për të, nëpërmjet një serie të gjatë dëgjesash publike në çdo njësi bashkiake”, - u shpreh kryebashkiaku.
Rama: Thirrje për ta votuar
Duke mbrojtur dokumentin e hartuar nga Bashkia e Tiranës për buxhetin e vitit 2009, kryebashkiaku Edi Rama ka kërkuar votimin e tij nga Këshilli Bashkiak. Kryebashkiaku reagoi pas rrëzimit për të dytën herë të buxhetit 2009 të bashkisë të hënën nga Këshilli Bashkiak, nga votat kundër të këshilltarëve demokratë dhe të LSI-së.
Më një gjuhë të ashpër kundër anëtarëve të PD-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak, Rama doli në një konferencë për shtyp në selinë e bashkisë ku akuzoi të dyja këto forca politike se lanë kryeqytetin pa paratë që akordohen çdo vit për punët në shërbim të komunitetit. Ai vijoi më tej, duke shtuar se buxhetin nuk e rrëzuan defektet teknike, por defektet “politike”.
Buxheti
“Buxheti i 2009-ës është më i miri buxhet për Tiranën dhe komunitetin e saj. Këtë e vërtetuam nga një proces votimesh në komunitet, vlerësime nga të gjitha krahët dhe them se ne jemi prestigjiozë që kemi përmbushur numrin më të madh të mundshëm të prioriteteve që parashikohen për gjithë Tiranën. Por, buxhetin s’e rrëzuan ‘defektet’, buxhetin e rrëzuan defektet politike. Ambicia për pushtet rrëzoi buxhetin”, - tha Rama, duke nënvizuar se “buxheti është i qytetarëve dhe jo i politikës, i ambicieve të atyre që zgjedhin dhe jo i të zgjedhurve”.
Për herë të parë në një prezantim publik kreu i bashkisë jo vetëm ka mbrojtur buxhetin 2009, por ka sqaruar edhe një herë faktin se ai dokument nuk do të pësojë asnjë ndryshim, duke u dhënë përgjigje ankesave të këshilltarëve të LSI-së dhe PD-së se propozimet e tyre nuk do të merren parasysh. Ai u ka kërkuar këshilltarëve të të gjitha krahëve të votojnë këtë buxhet “në të mirë të Tiranës, të ngrohjes së shkollave dhe kopshteve për shtimin e parqeve të gjelbëruara, për të mirën e njerëzve të saj”.
Rrëzimi
Rama, sërish dje i ka mëshuar bindjes së tij se rrëzimi i buxhetit nuk u bë për të ashtuquajturat defekte, por për defektet politike. “Ndiej keqardhje për rrëzimin e këtij buxheti, sepse ky buxhet është i qytetarëve të Tiranës dhe jo i politikanëve”, -tha kryebashkiaku, duke vijuar më tej se buxheti i vitit 2009 është buxheti më i detajuar, më i konsultuar me njerëzit dhe pa dyshim më i miri buxhet që është detajuar për Tiranën. Reagimi i kryebashkiakut vjen pas rrëzimit për të dytën herë të buxhetit 2009 të bashkisë të hënën nga Këshilli Bashkiak, nga votat kundër të këshilltarëve demokratë dhe të LSI-së.
Palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta në lidhje me “fondin rezervë për komunitetin”, detajimin e buxhetit, si edhe disa investime, që LSI-ja dhe PD-ja i quajnë të dyshimta. Nëse nuk do të miratohet buxheti, atëherë Këshilli Bashkiak do të shpërndahet pas tre muajsh dhe do të kalojë në zgjedhje të parakohshme vetëm për këshilltarët e Tiranës.
Kartat, rinis shpërndarja e kuponëve në postë
Nga dita e djeshme, ka rinisur shpërndarja e kuponëve, të cilët vërtetojnë pagesën për t’u pajisur më pas me kartën e identitetit. Drejtues të Postës Shqiptare bëjnë të ditur se nga dita e enjte janë vënë në dispozicion 20 mijë kuponë. Që në orën 08:00 të mëngjesit, janë është re një fluks i madh qytetarësh. Pasi bëjnë pagesën prej 12 mijë lekësh, ata duhet të pajisen me një kupon, i cili vërteton këtë pagesë dhe më pas duhet të paraqiten në zyrat e aplikimit pranë 11 njësive bashkiake që ka Tirana.
Procesi i aplikimit për kartat e identitetit nisi në fillim të kësaj jave. Që ditën e parë procesi u pengua, pasi zyrat postare ishin furnizuar me një kontingjent prej 4 mijë kuponësh i cili përfundoi në orët e para të mëngjesit.
Për dy ditë procesi u pezullua, ndërsa dje ai rinisi normalisht. Kryeministri Berisha deklaroi dy ditë më parë në mbledhjen e qeverisë se pas të premtes, procesi nuk do të kishte më pengesa, pasi kompania kishte garantuar se do të furnizonte me të gjithë kontingjentin e kuponëve. Po dje, Kryeministri Berisha premtoi kompensim për 4 kategori shoqërore.
Shtresat në nevojë, njerëzit që trajtohen me asistencë dhe studentët përfitojnë që nga sot uljen e tarifës për kartën e identitetit, pasi qeveria do t’i kompensojë ata në bazë të përqindjes së miratuar në mbledhjen e radhës.
MSH: QSUT-ja, buxhet më të lartë se spitalet e tjera
Përmirësimi i infrastrukturës së shërbimit të kujdesit dytësor (spitalor), si një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), zë një vend të konsiderueshëm në totalin e fondeve për këtë dikaster. Në një pjesë të konsiderueshme, në këtë fond zënë investimet në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.
Burime nga MSH-ja bënë të ditur se "investimet për përmirësimin e infrastrukturës spitalore zënë rreth 63% të tij, të totalit të shpenzimeve kapitale për MSH-në për 2009, që është 4.3 miliardë lekë ose 22.9% më shumë se viti 2008".
Sipas të njëjtave burime, "janë parashikuar ndërhyrje në rikonstruksionin e spitaleve ekzistuese, kurse ndërtimet e reja janë përqendruar kryesisht në shtesa aneksesh apo ambientesh ndihmëse të spitaleve".
Edhe këtë vit, do të vazhdojë financimi i rikonstruksionit të spitaleve rajonale si i atij të Korçës, spitali i Gjirokastrës, i Fierit, Delvinës etj., ku, krahas ndërtimit dhe rikonstruksionit të tyre, është parashikuar dhe kompletimi me pajisje, si dhe blerja e aparaturave dhe pajisjeve mjekësore.
Ndërsa, në QSUT, do të vazhdojë ndërhyrja për rikonstruksionin e spitalit të Neurologjisë dhe atij të Pediatrisë, shoqëruar kjo edhe me blerjen e aparaturave mjekësore bashkëkohore për funksionimin normal të tyre.
Një financim i rëndësishëm, në këtë program konsiderohet dhe faza e dytë e projektit për ndërtimin dhe pajisjen e spitalit të Sëmundjeve të Brendshme (kredi e bankës së Këshillit të Evropës-CEB). Gjithashtu, këtë vit parashikohet të përfundojë dhe rikonstruksioni i Spitalit Universitar "Shefqet Ndroqi" në Tiranë.