Dode: Shqipëria, vendi më i lirë fiskalisht në Evropë
Shqipëria mbetet vendi më i lirë fiskalisht në Evropë. Kështu është shprehur dje ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili bëri një deklaratë për raportin e “Heritage” dhe “Wall Street Journal” për indeksin e Lirisë Ekonomike në Botë për vitin 2009. Fondacioni i kongresit amerikan “Heritage” dhe gazeta e madhe amerikane “Wall Street Journal”, publikuan indeksin e lirive ekonomike për 184 vende të botës, të cilat vlerësohen nga këto dy agjenci në këto tregues. Ministri Bode tha se vlerësimi i ekonomive të vendeve të ndryshme nga pikëpamja e lirive ekonomike, përbën një tregues tepër të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendeve dhe sidomos për nxitjen e pjesëmarrjes së investimeve direkte në këto ekonomi, qoftë të huaja apo vendase. “Raporti i vitit 2009 që mbulon vitin 2008 konfirmon edhe një herë progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në çështjet e lirive ekonomike. Pas përmirësimeve të dukshme që u deklaruan vitin e kaluar dhe që mbulonin vitin 2007, indeksi i ri konfirmon një rritje prej 1.2 pikë % të Shqipërisë në renditjen botërore”, - vlerësoi ministri Bode. Ai iu referua progresit që ka bërë Shqipëria në këtë periudhë nga viti ‘95, kur ka filluar vlerësimi i saj nga këto institucione dhe deri më sot dhe shihet qartë një rritje dinamike e kurbës në dy vitet e fundit, që dëshmon rezultatin e reformave të ndërmarra nga qeveria. “Shqipëria renditet e 62–a midis 184 vendeve të botës me një notë prej 63.7 % nga 100 pikë të mundshme, duke lënë mbrapa një pjesë të mirë të vendeve të rajonit dhe vende të Evropës Perëndimore si Francën, Italinë, Slloveninë, Turqinë, Rumaninë, Greqinë, Maqedoninë etj.”, - theksoi ministri Bode. Sipas tij, ky përmirësim i treguesve të lirive ekonomike të vendit i jep një kredibilitet më të madh ambientit ekonomik në Shqipëri dhe krijon kushte dhe mundësi për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Ai tha ndër të tjera se Shqipëria renditet e 27–a midis vendeve të rajonit, duke lënë mbrapa një pjesë të vendeve që janë anëtare të BE–së dhe njëkohësisht krahasuar me vendet e Evropës Qendrore dhe të Ballkanit Perëndimor renditet e dyta për nga niveli i lirisë ekonomike, duke pasur përpara vetëm Bullgarinë dhe duke lënë mbrapa 10 vende të tjera, mes të cilave Greqinë, Turqinë, Slloveninë dhe Rumaninë. “I rëndësishëm është fakti që prej dy vitesh (2007–2008) liritë ekonomike në Shqipëri janë mbi mesataren e lirive ekonomike botërore (shih grafikun 2) duke qenë në 30 % e parë të vendeve me liri më të zhvilluar, niveli i lirisë ekonomike është dukshëm mbi nivelin mesatar botëror. Nëse indeksi mesatar i lirive ekonomike ka pësuar rritje të qenësishme në vitet e fundit, duke e renditur Shqipërinë në një pozicion tepër të favorshëm, unë do të ndalesha në mënyrë tepër të veçantë për të analizuar disa nga treguesit dhe tendencën e tyre në vitet e fundit”, - sqaroi ministri i Financave. Duke iu referuar të dhënave të vitit 2007 në krahasim me vitet e tjera, Bode theksoi se tregues pozitivë janë liria e biznesit, liria fiskale dhe liria nga korrupsioni, që kanë dhënë rritjen më të madhe në renditjen e Shqipërisë për vitin e fundit. Liria e biznesit ka kaluar nga 55.6 që ka qenë nota, në 67 dhe përbën progresin më të madh, në saj të reformave rregullatore, në sajë të reformave të ndërmarra në kuadrin e “Doing Biznes”. Ministri Bode theksoi se liria fiskale vijon të thellojë avantazhin e saj, duke mbetur si vendi më i lirë fiskalisht në Evropë, duke qenë vendi me taksat më të ulëta, nga 90.3 që ka qenë nota në vitin e kaluar, në këtë vit vlerësohemi me 92.8 dhe këtu sigurisht kanë impaktin e tyre, dhënë në këtë vlerësim, reformat e ndërmarra gjatë vitit 2008, vendosja e taksës së sheshtë, ulja e tatimit të fitimit me 2.5 herë, ulja maksimale e tatimit mbi të ardhurat personale me 2.3 herë dhe një sërë përmirësimesh të tjera që kanë të bëjnë me pakësimin e taksave nacionale dhe lehtësimin e procedurave tatimore për pagimin e taksave, rregullimin e raporteve me administratën që mundësojnë deklarimin e Shqipërisë si vendin më të lirë në Evropë nga pikëpamja fiskale. Siç shihet edhe në grafik, që nga viti 2006, pas reformave të ndërmarra në fund të vitit 2005, tendenca dhe pjerrësia e grafikut për liritë fiskale ka marrë një trend tepër pozitiv. Sipas Bodes, rritje ka pësuar dhe indeksi i lirive nga korrupsioni, nga 26 % që ishte nota e vitit të kaluar, ka shkuar në 29 % këtë vit.