Baleti kosovar ndërron skenë
Nga 28 gushti e deri më 2 shtator balerinët e Kosovës do të marrin pjesë në festivalin ndërkombëtar të baletit, Züricher Theater Spektakel, në Cyrih, ku do të prezantohen me shfaqjen “Oh My God” (Oh Zoti Im).
Drejtori i Baletit të Kosovë, Ahmet Brahimaj, i tha gazetës se në festivalin që do të fillojë në muajin gusht Kosovën do ta përfaqësojnë 18 balerinë, të cilët atje pritet të performojnë dy herë.
Në fakt, në mesin e shumë shteteve tjera pjesëmarrëse, organizatorët e Züricher Theater Spektakel e kanë ftuar edhe Kosovën. Më konkretisht, ftesën që me shfaqjen e realizuar nga koreografi i njohur holandez, Arthur Kuggeleyn, të jetë pjesë e festivalit më të njohur teatror në Zvicër, e ka marrë direkt nga organizatori.
“Ne jemi përzgjedhur nga vetë drejtori i festivalit, i cili ka qenë disa herë në Kosovë dhe ka parë shfaqjet tona”, sqaron Brahimaj.
Sipas tij, për Trupën e Baletit të Kosovës, pjesëmarrja në festivalin zviceran është gjë e rëndësishme, për arsye se kjo është hera e parë që balerinët kosovarë prezantohet në një vend jashtë Ballkanit.
“Është shumë e rëndësishme që me balet të shkojmë në një vend si Zvicra. Ngase, nuk është punë e vogël që atje të prezantohemi përmes një arti elitar, siç është baleti. Trupa e Baletit Kosovar në këtë festival do të bartë përgjegjësinë e prezantimit në një nivel sa më të lartë artistik”, përfundon ai.
Ndryshe, Zürcher Theater Spektakel është themeluar në vitin 1980, si një vendtakim ndërkombëtar i teatrove të pavarura. Për më shumë se 30 vjet në skenat e tij kanë shkelur trupa të njohura botërore të baletit dhe teatrit.