E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Balla – opozitës: Për ju drejtësia funksionon kur vepron ndaj kundërshtarit

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh sot se për opozitën drejtësia funksionon kur drejtësia vepron ndaj kundërshtarit, por drejtësia është e kapur kur drejtësia vepron ndaj tyre.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Balla reagoi ndaj fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha duke thënë se asnjë deputet nuk mund të flasë më shumë se 10 minuta dhe koha nuk është e transferueshme.

“Kjo është diçka që ka të bëjë me sensin, ka të bëjë me parimin. Për ju nuk ka ligje, për ju nuk ka rregulla. Për ju drejtësia funksionon kur drejtësia vepron ndaj kundërshtarit, por drejtësia është e kapur kur drejtësia vepron ndaj jush”, iu drejtua Balla deputetëve të opozitës.

“E keni parë këtë krahun këtej të sallës? Gjeni një rast kur ky krah i sallës të jetë shprehur, apo të ketë bërë komente mbi veprimet e drejtësisë. Asnjëherë! Kemi bërë komente kur drejtësia ka dhënë verdiktin përfundimtar. Por, asnjëherë komente kur drejtësia është duke hetuar dhe kur prevalon prezumimi i pafajësisë”, theksoi Balla.

Balla e ftoi Berishën që për të gjitha akuzat të bëjë kallëzim në SPAK.  Ai reagoi edhe për deklaratat e Berishës ndaj ish-ambasadores së SHBA, Yuri Kim.

“Fole për ambasadoren e SHBA. Ambasadorja në fjalë ka qenë e emëruar në Republikën e  Shqipërisë me firmën e presidentit Trump”, tha Balla.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›