Balla: Berisha bën festë, pasi vrau me armët e Gardës
Partia Socialiste nuk la pa komentuar dje mitingun festiv të organizuar nga mazhoranca. Në një komunikim me median, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, konstatoi se “Sali Berisha bën festë, por vetëm një muaj më parë vrau me gjakftohtësi, me pushkët e Gardës Republikane, ashtu siç vrau Ahmadinexhadi në Iran, katër shqiptarë të pafajshëm, që ngritën zërin e demonstruan kundër regjimit të tij”. Sipas Ballës, sot duhet të ishte një festë për gjithë shqiptarët, por aspak për Sali Berishën. “Sot duhet të ishte një festë spontane e popullit, aspak një miting i Sali Berishës, ku arsimtarë, studentë e punonjës të administratës, nga anembanë vendit, ngjishen në autobusë e nxirren në shesh, për të treguar sesa e do populli regjimin e Saliut. Sali Berisha po ndjek shembujt e shëmtuar të diktatorëve në largim. Historia e vjetër dhe e re e diktatorëve, është sot modeli dhe historia e fundit të Sali Berishës”, nënvizoi deputeti socialist. Në këndvështrimin e Ballës, Kryeministri po vret për të ndalur protestat, ai po fyen gjakun e të vrarëve për drejtësi para zyrës së tij, po rreh barbarisht për të trembur valën e pakënaqësisë popullore, po organizon anti-mitingje groteske, duke e kthyer 20 shkurtin nga një ditë simbol të opozitarizimit kundër diktaturës, në një ditë të urrejtjes kundër opozitës. “Në ditët e javët në vijim, shqiptarët do të protestojnë më të shumtë se kurrë kundër Saliut e Ilirit e kusarëve me bllok në dorë, të cilët nuk mund të trembin më askënd me dhunën e fjalëve dhe dhunën e armëve, pas të cilave janë strukur këta kusarë”, premtoi Balla.