E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënia e bustit, demokratët e festojnë me këngë në shesh

TIRANË- 20 shkurti i vitit 1991, që në kujtesën historike të popullit shqiptar njihet si dita kur u përmbys monumenti i diktatorit Enver Hoxha, i vendosur në qendër të kryeqytetit, është festuar ndryshe dje nga Partia Demokratike. Forumi Rinor i Partisë Demokratike organizoi dje në sheshin “Nënë Tereza” një koncert festiv, ku spikatën emrat më të njohur të muzikës shqiptare, që u shoqërua edhe me një fjalë të mbajtur nga Kryeministri Sali Berisha. Ajo që ka hapur dhe mbyllur dje koncertin festiv ishte këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e cila gjatë gjithë kohës është përpjekur të rrisë entuziazmin e demokratëve të mbledhur dje në shesh. Koncerti i djeshëm është shoqëruar me flamuj kuq e zi, flamuj të BE-së, NATO-s dhe të Partisë Demokratike. Megjithatë, edhe pse ishte lajmëruar një koncert në orën 12:00 të mesditës, njerëzit kanë mbushur sheshin pas 35 minutash, megjithë thirrjet e vazhdueshme të Çiljetës se nga momenti në moment, aty do të mbërrinte edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Në koncert ishte ftuar të flasë edhe Rajmonda Bulku, e cila në hapje të mitingut të mazhorancës u shpreh ndër të tjera se “koha aktuale ka vetëm një emër dhe ai është Sali Berisha”. Ndërsa, këngëtarja Çiljeta Xhilaga u shpreh herë pas herë gjatë prezantimit se kjo është Shqipëria e lirë dhe demokratike, Shqipëria në NATO dhe së shpejti edhe në familjen Europiane. Ka qenë fjala e Kryeministrit Berisha, e cila e rriti entuziazmin e qytetarëve, për t’u sfumuar po me të njëjtën forcë, pas përfundimit të fjalës së tij. Menjëherë pas fjalës së Berishës, qytetarët janë larguar nga sheshi paçka se Berisha preferoi të qëndronte edhe pak minuta në rresht të parë, me deputetët demokratë, për të dëgjuar këngën e radhës nga këngëtarja Juliana Pasha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›