PD i jep LSI 20% të bashkive e komunave, ja emrat
TIRANË- Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se janë afër finalizimit të marrëveshjes për zgjedhjet lokale të 8 majit, ndërsa pikëpyetja e madhe mes dy forcave që bashkëqeverisin mbetet Bashkia e Durrësit. Burime të mirëbesuara pranë koalicionit qeverisës tregojnë për gazetën “MAPO” se në negociatat, të dërguarit e Berishës dhe Metës janë duke respektuar kuotën e 20 %-it për betejën e zgjedhjeve vendore, e njëjta kuotë që u ndoq për përfaqësimin e LSI-së në qeveri dhe administratë, pas 28 qershorit 2009. Saktësisht, nga 365 njësi të qeverisjes vendore, bashki e komuna, LSI duhet të marrë 73 të tilla, por të rëndësishme janë bashkitë e kategorisë së parë. Deri tani negociatat kanë ecur mirë për Elbasanin, Beratin, Pogradecin, Lezhën e Përmetin, si dhe shumë komuna në vend.
Për Bashkinë e Tiranës nuk ka asnjë dyshim që LSI-ja do të mbështesë kandidatin e PD-së për Tiranën, që deri më tani të gjitha gjasat janë që të jetë Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Në kryeqytet do të jetë beteja më e fortë e 8 majit, nëse nga opozita do të jetë në rikandidim për herë të katërt Kryetari i PS, Edi Rama. Ndërkaq, burimet tregojnë se ndarja deri në këto momente vijon për bashkinë e dytë të rëndësishme në vend, pas Tiranës, atë të Durrësit. PD-ja ende nuk ka vendosur për emrin e lakuar të Lefter Kokës, nga radhët e LSI-së, si kandidat në emër të koalicionit qeveritar. Kjo, për shkak të akuzave që demokratët kanë bërë ndër vite, në adresë të zotit Koka. Megjithatë, referuar burimeve jo zyrtare, kandidatura e Kokës mbetet ende më e lakuara dhe më e mundshmja, për të përfaqësuar koalicionin qeverisës. Ndërkohë zyrtarisht, nga strukturat e PD-së së Durrësit është bërë e ditur se kandidati që do të propozohet nga demokratët do të tërhiqet, në rast se Bashkia e Durrësit do t’i lihet aleatëve, pra LSI-së. Por ndërsa Durrësi do të hajë ende diskutim, Kryeministri Sali Berisha dhe ish-zëvendësi i tij, Ilir Meta, duket se janë marrë vesh për bashki të tjera të rëndësishme në vend. Kështu, burimet tregojnë se LSI-ja po lobon fort që të ketë kandidatin e saj në emër të koalicionit qeveritar në Bashkinë e Elbasanit, edhe pse nga PD-ja janë përfolur jo pak emrat e Luciano Boçit, Ardian Turkut, Aurel Bylykbashit etj. LSI e ka gati kandidaturën e Durim Hushit për Bashkinë e Elbsanit. Bashkitë e tjera të kërkuara nga LSI dhe që po merren në konsideratë seriozisht nga PD-ja janë edhe bashkitë e Beratit, Pogradecit, Lezhës dhe Përmetit. Duke mbështetur kandidatë të majtë nën çatinë e LSI-së, demokratët mendojnë se mund të fitojnë ndonjë prej atyre bashkive të njohura si bastione të socialistëve. Gjithmonë sipas burimeve të mirëbesuara, nga ana e LSI-së janë menduar emra me peshë në radhën e së majtës, ish-kryetarë të PS-së apo ish-deputetë socialistë, që tashmë janë larg selisë rozë dhe mund të tërheqin elektorat socialistë nën emrin e tyre.
Votat për Tiranën
Bashkia e Tiranës do të jetë beteja më e fortë në zgjedhjet e 8 majit. Duke iu referuar matematikës elektorale të 28 qershorit 2009, koalicioni i PS ka pasur 121 543 vota. Ndërkaq aleatët e saj sot, Partia Ligj dhe Drejtësi ka marrë 718 vota, Partia Socialiste e Vërtetë 808, Partia Demokristiane 919 dhe Partia e Gjelbër 168 vota. Në krahun tjetër, koalicioni i drejtuar nga PD, në përbërje të të cilit ishin 16 forca politike, grumbulloi 106 643 vota. Koalicioni i udhëhequr nga LSI, duke zbritur votat e PSV91 dhe Partisë së Gjelbër, që kaluan në opozitë, rezulton të ketë 13 677 vota. Aleanca e dy koalicioneve respektive të PD dhe LSI do të çonte në një numër total prej 120 320 votash në Bashkinë e Tiranës. Një rol për Tiranën në këtë mes do të luajnë edhe votat e LZHK-së.
Votat për Durrësin
Në bashkinë e dytë të rëndësishme në vend, në zgjedhjet lokale të vitit 2007, koalicioni i drejtuar nga PS, në përbërje të së cilit ishte edhe LSI-ja, grumbulloi plot 19,097 vota. Ndërsa, koalicioni i drejtuar në atë kohë nga PD, që ndodhej në pushtet, mori 18,789 vota. Në rast se i referohemi zgjedhjeve të qershorit, 2009, për të njëjtin territor koalicioni i socialistëve do të mund të merrte 27,548 vota. Koalicioni qeveritar në anën tjetër do të grumbullonte 30,456 vota. Ndërsa LSI, me 4,834 votat e saj, duket se kanë në dorë shumë për fatin e 8 majit.
Votat për Elbasanin
Në zgjedhjet lokale të 2007-ës koalicioni PS-LSI arriti të marrë 15,870 vota në Bashkinë e Elbasanit. Në anën tjetër, koalicioni i drejtuar nga PD arriti të marrë 15,192 vota. Më 28 qershor 2009, koalicioni i socialistëve për të njëjtin territor mori 20,988 vota. Koalicioni i djathtë mori 21,502 vota, ndërsa koalicioni i LSI-së mori 2,192 vota. Nëse do të bashkonim votat e dy partive PD-LSI, matematikisht Partia Socialiste do të humbiste zgjedhjet e ardhshme lokale. Nisur nga këto përllogaritje paraprake, LSI-ja po lufton fort që në këtë bashki të garojë në emër të koalicionit qeveritar me emrin e ish-deputetit të PS-së, Durim Hushi.
Votat për Beratin
Berati është një tjetër bashki që po diskutohet mjaft, që t’i lihet LSI-së, edhe pse një fakt i tillë po has në kundërshtimin e ministrit Genc Pollo, i cili po lobon për të vendosur një ish-kryetar të PDR-së në Berat. Edhe për këtë bashki, shifrat flasin vetë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, 15,870 vota ka fituar koalicioni PS-LSI, kundrejt 15,192 votave të koalicionit të PD-së. Në të njëjtin territor në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, koalicioni i PS-së ka fituar 11,115 vota, 1 822 vota koalicioni i LSI-së dhe 8 681 vota koalicioni i PD-së
Votat në 2011-ën
Këto janë përllogaritjet sipas votave të zgjedhjeve të fundit lokale të 2007-ës dhe atyre parlamentare të 2009-ës. Por si do të ndryshojnë ato më 8 maj? Votat e LSI-së kanë qenë vota të majta të llogaritura (pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare) në opozitë dhe jo në pushtet. Andaj lind pyetja e thjeshtë, nëse LSI-ja pas një viti e gjysmë bashkëqeverisje me PD-në, a do mund të ruajë të njëjtat vota? Kjo është për t’u parë. Gjithashtu ngjarjet e fundit, si video skandali i përgjimit të Ilir Metës nga Dritan Prifti, që solli edhe dorëheqjen e kreut të LSI-së nga posti i zv/kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, pritet të shikohen se si do të përkthehen në votë në zgjedhjet lokale të këtij viti. Zgjedhjet lokale do të jenë një test përcaktues edhe për qeverisjen e PD-së, në një mandat e gjysmë në nivel qendror, po aq edhe për aksionin opozitar, e cila që nga 2005-sa është përfshirë në protesta, bojkote të parlamentit, demonstrata, etj,..