E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Berisha është i implikuar vetë në skandalet e Ministrisë së Mbrojtjes, që i rrezikojnë karrigen

Share

Deputeti i PS tha se procedurat për kontrollin parlamentar ndaj Ministrisë së Mbrojtjes kanë nisur që në shkurt. Balla tha se Berisha e Topalli po mbajnë peng një projektligj për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve të inteligjencës. Në fund Balla tha se nëse nuk ka trafiqe, pse shefi i SHIU jep dorëheqje kur publikohen dokumente zyrtare të trafikut

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi pas konferencës për shtyp të kryeministrit Sali Berisha. Balla tha se ndryshe nga sa deklaron Berisha, procedurat për kontrollin parlamentar të Ministrisë së Mbrojtjes kanë nisur që në shkurt të këtij viti.

Sali Berisha gënjen për bllokimin e kontrollit parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes duke dëshmuar qartë se është vetë tërësisht i implikuar në skandale që i rrezikojnë karrigen: qoftë për blerjen dhe vënien në përdorim të pajisjeve që kanë përgjuar dhe po përgjojnë opozitën dhe diplomatë të huaj në Tiranë; si dhe në trafikun e armëve nga ana e Ministrisë e Mbrojtjes, një biznes që ai dhe i biri nuk paskan hequr dorë edhe pasi vranë 26 shqiptarë të pafajshëm në Gërdec.

Më lejoni të sqaroj se procedurat për kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes kanë filluar që në muajin shkurt, pra 5 muaj më parë, me depozitimin e kërkesës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo kërkesë ka marrë miratimin e këtij komisioni më 18 maj në praninë edhe të ministrit të brendshëm të asaj kohe Bujar Nishani edhe të ministrit të mbrojtjes Arben Imami. Më 6 qershor kryetari i komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti i partisë së Sali Berishës, Leonard Demi, i ka nisur ministrisë pikërisht vendimin që autorizon kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes. Menjëherë pas kësaj shkrese ka pasur edhe 3 kontakte të tjera zyrtare me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, tha Balla.

Vetëm 3 ditë më parë përsëri kryetari i komisionit Leonard Demi, ka dërguar edhe një shkresë tjetër për fillimin e kontrollit, në të cilën janë parashtruar edhe 8 nëngrupet për 8 nënçështjet që kanë bërë të domosdoshëm kontrollin parlamentar në këtë ministri, mbi të cilën rëndojnë, e përsëris, dyshime të forta për trafik armësh dhe përgjime të paligjshme. I kujtoj Sali Berishës se kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin garantohet nga Kushtetuta dhe nga rregullorja e Kuvendit, përkatësisht nenet 18, 36 dhe 102.

Po ashtu, Balla tha se Berisha po mban peng një projektligj për mbikëqyrjen e institucioneve të inteligjencës.

Më lejoni të bëj publik gjithashtu një fakt të ri që përbën në vetvete një skandal tjetër shumë të rëndë në keqpërdorimin e Kuvendit dhe të kryetares së Kuvendit nga Sali Berisha. Ka më shumë se 1 vit që në sirtarët e Jozefinës mbahet peng një projektligj i përgatitur nga ekspertë britanikë, në kuadër të një projekti të posaçëm të financuar nga OSBE, për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve të inteligjencës. Sali Berisha duhet të sqarojë se përse ai dhe kryetarja e Kuvendit mbajnë peng miratimin e këtij projektligji që përbën një domosdoshmëri në kuadër edhe të angazhimeve që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO-s. Më lejoni ti kujtoj prezencës së OSBE në Tiranë që edhe ky mision diplomatik ti kërkojë qeverisë shqyrtimin e këtij projektligji të hartuar me mbështetjen dhe asistencën e vetë OSBE-së, tha Balla.

Sali Berishën e tradhtoi fytyra e tij sot kur u mundua të mohonte dyshimet për trafikun e armëve dhe skandalin e përgjimeve. Prandaj ai duhet ti japë përgjigje shqiptarëve, se nëse nuk paska trafik armësh dhe përgjime të paligjshme përse drejtori i shërbimit informativ të ushtrisë Ylli Zyla dha dorëheqjen pas publikimit të dokumenteve zyrtarë të lidhjes së tij dhe bashkëshortes së tij me shitjen dhe me trafikun e armëve. Sali Berisha i di mirë arsyet, sepse ish drejtori i SHIU-t Ylli Zyla është një ndër të paktët njerëz që hyn pothuajse çdo ditë në zyrën e tij në kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›