Vijon beteja për kreun e qarkut Fier, dhunohet zyra e socialistit Ndreko
Dhunohet sërish zyra e përfaqësuesit të Partisë Socialiste për kreun e qarkut të Fierit, Vangjel Ndreko. Në një komunikim me median, Ndreko ka bërë të ditur këtë fakt, duke bërë përgjegjës pretendentin tjetër për kreun e qarkut, përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Artur Shehun, raporton Ora News.
Ai thotë së në orët e pasdites së djeshme ka gjetur të dhunuar derën e zyrës së tij, ndërsa menjëherë ka njoftuar policinë për të hetuar mbi këtë ngjarje.
Prej gati një viti vazhdon beteja për kreun e qarkut të Fierit, ndonëse kjo çështje është përplasur nëpër dyert e gjykatave, si në Fier, ashtu edhe në atë të apelit në Vlorë, ku socialisti Ndreko është shpallur si kryetar i ligjshëm.
Ndonëse janë dhënë disa vendime deri më tani, ende qarku i Fierit nuk ka një kryetar zyrtar, duke bllokuar një sërë çështjesh në shërbim të qytetarëve.
