E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Berisha po kap shtetin. Shehu: Kryeprokurori, nga PD

Gazeta Shqip

Qëndrimet

Socialistët akuzuan Presidentin Nishani se po ndihmonte Kryeministrin për marrjen e institucioneve 

Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi ashpër dje ndaj asaj që e quajti uzurpimin e institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës nga Kryeministri Sali Berisha. Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se rasti më i fundit ishte ai i emërimit të Ylli Zylës në krye të Policisë Ushtarake, pas akuzave që rëndojnë mbi të për çështjet e përgjimeve dhe trafikut të armëve. Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaroi se vendosja e Visho Ajazi Likës në krye të SHISH do ti japë këtij institucioni një hov të ri, pasi ky shërbim i drejtuar nga Bahri Shaqiri ka pasur shumë probleme për sa i përket politizimit. Shehu theksoi se PD ka të gjithë potencialin për të zgjedhur një kryeprokuror të përgjithshëm nga radhët e saj.

Balla

Deputeti socialist deklaroi dje se Sali Berisha, me ndihmën e Bujar Nishanit po vendos nën komandën e tij institucione shumë të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës. Shkarkimi i drejtorit të SHISH-it dhe emërimi i Visho Ajazit në krye të këtij Shërbimi, pa asnjë konsultim me partnerët dhe shërbimet partnere, zgjedhja e Elvis Çefës nënkryetar i KLD-së, vazhduan dje me emërimin e Ylli Zylës në krye të Policisë Ushtarake, deklaroi Balla, duke i kërkuar publikisht Kryeministrit Berisha të përgjigjet për Ylli Zylën dhe akuzat që i janë bërë. I kërkoj Sali Berishës të përgjigjet publikisht për Ylli Zylën, për lidhjet e tij me trafikun e armëve, trafik që Saliu dhe i biri e njohin mirë, deklaroi Balla, duke theksuar se këtij pushteti i ka ardhur fundi. Balla kërkoi që Berisha të përgjigjej publikisht dhe për të gjitha urdhrat e dhënë për blerjen dhe vënien në punë të pajisjeve për përgjim në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe ky emërim i bërë në këto kushte është pjesë e përshkallëzimit të kapjes së shtetit, theksoi Balla.

Balla - Vënia nën kontroll e një sërë institucionesh të pavarura nga Sali Berisha në bashkëpunim me Bujar Nishanin tregojnë se pushtetit të Sali Berishës i ka ardhur fundi

Shehu - Mazhoranca i ka të gjitha kapacitetet për të propozuar një emër nga radhët e saj për kryeprokuror, por kjo zgjidhje duhet të jetë brenda kuadrit kushtetues

Balla: Berisha po kap shtetin. Shehu: Kryeprokurori, nga PD burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›