Kastriot Islami: Militantët të mos gënjehen, SHBA nuk do të ndikojë në zgjedhjet e 2013-s
Në një shkrim të gjatë të publikuar në gazetën Panorama, Kastriot Islami ka marrë në shqyrtim ndryshimet në SHSH dhe qendrimin amerikan, më konkretisht atë të ambasadorit amerikan.
Islami shprehet se, pas shkarkimit të Bahri Shaqirit dhe emërimit të Visho Ajazit, ka dy teza: Teza e rikthimit në SHIK-un e 1997-s dhe teza e përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-të, për shkak të emërimit të drejtuesit të ri të SHISH-it.
Sipas tij, Teza e rikthimit në 1997-n është një tezë që rivjen herë pas here në politikën e brendshme shqiptare, por një tezë konsumi politik, me efekte gjithnjë e më të parëndësishme.
Ndërsa teza e zemërimit amerikan, sipas Islamit, më shumë se sa një e vërtetë, është një interpretim opozitar. Kjo, pasi sipas tij, SHBA është e paanshme.
Nuk shpëtoi edhe këtë radhë pa u interpretuar sipas qejfit deklarata e ambasadorit Arvziu. Nga dëgjimi i kësaj deklarate, më rezulton se deklarata ishte elegante, e saktë, në momentin e duhur, e qartë dhe pas asnjë nënkuptim apo dykuptimësi për të krijuar terren për interpretime sipas qejfit. Interpretimet, komentet e analizat, dhe sidomos titujt e lajmeve ishin kryesisht nga ana opozitare, në shumicën e rasteve të pasakta dhe në funksion të motivimit të militantëve të tyre, thotë Islami.
Ndërsa në fund jep edhe një koment për simpatizantët politikë(e ka me simpatizantët socialistë): Edhe nga qëndrimet e fundit të ambasadorit Arvizu, ndryshe nga çfarë përpiqen të aludojnë simpatizantët e teorive të konspiracionit, rezulton se SHBA-të, duke respektuar vullnetin e popullit shqiptar, do të jenë tërësisht të paanshme në zgjedhjet e vitit 2013.
Dhe me këtë, Islami kërkon të thotë se SHBA nuk do të ndikojnë për largimin e Berishës, ashtu siç përflitet prej kohësh nëpër ambientet politike.