Stafi i Presidentit, pa këshilltar për çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes
Stafi
9 veta - Presidenti, deri më tani, ka zgjedhur nëntë këshilltarë si pjesë të stafit të punës. Ata u bënë publik para kryerjes së betimit
3 këshilltarë – Kreu i shtetit ka preferuar që të ketë tre këshilltarë ligjorë vetëm për çështjet e drejtësisë. Ata do të fokusohen dhe në reformën në drejtësi
2 fusha - Aktualisht, Presidenti ka vakant dy postet e këshilltarëve. Një për çështjen e sigurisë kombëtare dhe tjetri për çështjen e mbrojtjes
Burime nga zyra e kreut të shtetit tregojnë se në shtator plotësohen vendet
BLEDAR HOTI
Presidenti i Republikës nuk ka arritur ta kompletojë stafin e tij, duke lënë pa emëruar dy këshilltarët kryesorë, të mbrojtjes dhe të sigurisë. I zgjedhur në krye të shtetit më 11 qershor nga Kuvendi i Shqipërisë, Nishani, deri në kryerjen e betimit më 24 korrik, pati kohë të krijonte stafin e duhur. Porse pas bërjes së betimit, kreu i shtetit la pa plotësuar pikërisht dy postet kryesore të këshilltarëve. Deri më tani, Presidenti ka emëruar 12 persona në stafin e tij, që nga sekretari i përgjithshëm, drejtori i kabinetit dhe disa prej këshilltarëve. Kreu i shtetit ka gjykuar të emërojë tre këshilltarë për çështjet ligjore, porse ende nuk ka piketuar njerëzit që do ti asistojnë në marrjen e vendimeve të natyrës strategjike për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Në momentin kur Kryeministri Sali Berisha propozoi për të shkarkuar kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, dhe për të emëruar një tjetër në vend të tij, kreut i shtetit nuk pati ndonjë këshilltar të konsultohej nëse kjo nismë ishte e drejtë ose jo. Nishani u gjend edhe përpara furisë së propozimeve të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për të ndryshuar kupolën e ushtrisë shqiptare, që nga zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe deri te komandanti i Flotës Detare. As për çështjet e ushtrisë, Nishani nuk mori ndonjë mendim të specializuar nëse duhet të nxirreshin ato dekrete, pasi për tu konsultuar mungonin këshilltarët, ekspertë të fushës. Këto kanë qenë vendimet më të bujshme të kreut të shtetit, të cilat janë marrë pa pasur mundësinë e konsultimit me stafin, pikërisht me njerëzit e fushës përkatëse. Kreu i shtetit pritet të jetë së shpejti përballë kërkesës për dhënien e plotfuqishmërisë për negociatat me palën greke për kufirin detar. Nishani nuk e ka stafin e plotë për tu konsultuar nëse kërkesa për bisedime me palën greke, objekti i negociatave do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese apo jo. Vendimi i gjykatës i kërkon shtetit shqiptar, që veç plotfuqishmërisë së Presidentit, ai duhet të vihet në dijeni dhe për ecurinë e procesit. Burime zyrtare të Presidentit pohuan për gazetën Shqip se kreu i shtetit pritet të plotësojë vendet vakante të këshilltarëve për çështjen e sigurisë dhe atë të mbrojtjes. Të njëjtat burime pohuan se në fillim të muajit shtator, Presidenti do të plotësojë vendet vakante.
Këshilltarët
Presidenti ka zgjedhur tre këshilltarë për çështjet ligjore. Arben Idrizi, Shaqir Hasani dhe Ilia Jolldashi janë njerëzit që do të këshillojnë Nishanin për çështjet e reformës së drejtësisë, prokurorisë dhe asaj zgjedhore. Besnik Konçi është këshilltari diplomatik i kreut të shtetit. Ndërsa për këshilltar politik, Nishani ka zgjedhur Princin Leka II. Për herë të parë, Nishani ka zgjeruar dhe gamën e këshilltarëve. Manuela Murthi (Tafaj) do të jetë këshilltare për çështjet e integrimit europian, ndërsa Amik Kasoruho do të jetë këshilltar për çështjet e kulturës. Mimoza Selenica do të jetë këshilltare për çështjet sociale. Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës është caktuar Bardh Spahia. Më parë, ai ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Shëndetësisë. Zëdhënëse e Presidentit është caktuar Irma Toptani. Për herë të parë, Presidenti do të ketë edhe këshilltar për protokollin, ndërsa ka caktuar si shef të kabinetit Florjan Nurin.
Stafi i Presidentit
Sekretari i Përgjithshëm - Bardh Spahia
Drejtor kabineti – Florjan Nuri
Këshilltarët
Besnik Konçi - Këshilltar diplomatik
Princ Leka Zogu II - Këshilltar politik
Arben Idrizi - Këshilltar ligjor
Shaqir Hasani - Këshilltar ligjor
Ilia Jolldashi - Këshilltar ligjor
Manuela Murthi (Tafaj) - Këshilltare për çështjet e integrimit europian
Amik Kasoruho - Këshilltar për çështjet e kulturës
Mimoza Selenica - Këshilltare për çështjet sociale
Ledio Nuraj - Këshilltar për protokollin
Irma Toptani - Zëdhënëse e Presidentit
Stafi i Presidentit, pa këshilltar për çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip