E Enjte, 5 Nëntor 2026

Balla: Domosdoshmëri, thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, është domosdoshmëri jetike për vendin, thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, e mbi të gjitha fenomenit të pandëshkueshmërisë.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Balla tha se, “nuk ka një pamje më qesharake për opozitën kur Kuvendi është thirrur në një seancë të rrallë si kjo e sotmja për të diskutuar për angazhimin e përbashkët në reformat kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit. E ndërsa kryeministri i vendit flet mbi Rezolutën, disa prej deputetëve të opozitës valëvisin një fotografi të shëmtuar të një personi të shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe me përmbajtjen “akte korruptive që kanë minuar demokracinë”. Dhe shtuar këtu faktin që po i njëjti në atë fotografi është sot nën akuzë zyrtare për korrupsion nga drejtësia”.

Balla tha se, “jemi në një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Rezultatet e arritura deri tani janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit, duke kontribuuar në mënyrë domethënëse në dhënien fund të epokës së pandëshkueshmërisë”, u shpreh Balla.

“Disa prej jush këtu janë ende në kohë të ndajnë veten nga epoka e vjetër”, iu drejtua Balla deputetëve të opozitës.

“Na duhet domosdoshmërisht ta thellojmë këtë revansh të nisur, e natyrshëm duke ndarë mes njëri-tjetrit ndërgjegjësinë se kjo i shërben njëherësh si vlerë e shtuar dhe e patjetërsueshme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë sonë drejt Bashkimit Evropian”, nënvizoi ministri Balla.

“Në territorin e kësaj Republike, sikurse në karriget e kësaj salle, nuk mund të ketë as politikanë të paprekshëm, e as të fortë lagjesh mbi ligjin dhe mbi qytetarët. Mos harroni asnjëherë, se nuk ka qenë e largët dita kur syresh prej të dy racave i shmangeshin drejtësisë. Më keq akoma i ndalonte policia, nginte akuza prokuroria, por gjykata i nxirrte nga dera e pasme pas pagesës si në një treg gjëje të gjallë”, tha Balla.

“Është domosdoshmëri jetike për vendin, për të ardhmen, thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar,e mbi të gjitha fenomenit të pandëshkueshmërisë, në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokusin e shoqërisë shqiptare dhe të gjitha institucioneve të shtetit, ku natyrshëm një rol të rëndësishëm merr pa dyshim edhe Policia e Shtetit”, u shpreh më tej Balla.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›