E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Duhet më shumë hapësirë për përfaqësimin e diasporës në politikën shqiptare. Zgjedhjet e 11 majit, fitore për demokracinë

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të diasporës në sistemin politik të Shqipërisë, gjatë fjalës së tij në panelin “Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: nga vota te përfaqësimi institucional”. Balla vuri në dukje nevojën për të krijuar më shumë hapësirë për diasporën nga partitë politike, duke bërë thirrje që ato të japin mundësi të mëdha për përfaqësimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Në 2029, kur shqiptarët e diasporës do të votojnë përsëri për parlamentin shqiptar, kemi kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur, edhe KQZ duhet t’u lejojë më shumë kohë, dhe natyrisht partitë politike duhet t’i japin më shumë hapësirë përfaqësimit të diasporës”, deklaroi Balla, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.

Balla u ndal gjithashtu te zgjedhjet e 11 majit, duke vlerësuar pjesëmarrjen e diasporës për herë të parë në zgjedhje si një arritje të madhe për demokracinë shqiptare. Ai theksoi se 202 mijë shqiptarë jashtë vendit hodhën votën e tyre, një shifër që përfaqëson një hap të rëndësishëm në përfshirjen e diasporës në procesin zgjedhor të Shqipërisë.

“Përfaqësimi i diasporës në Shqipëri: zgjedhjet e fundit ishin një fitore e madhe për demokracinë, e cila për 35 vite ishte e cunguar. Ata që janë motori i ekonomisë sonë, diaspora, nuk merrnin pjesë në zgjedhje. Koha mund të ketë qenë e shkurtër, por e vërteta është se mbi 300 mijë shqiptarë në diasporë shfaqën interes për të marrë pjesë në zgjedhje, 248 mijë prej tyre u regjistruan dhe 202 mijë prej tyre dërguan zarfin me fletën e tyre të votimit”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist shtoi se ky proces është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, duke nënvizuar se, përveç votimit, diaspora ka arritur të ketë një përfaqësim të dukshëm në nivelet e ndryshme të pushtetit, si në Kongresin Amerikan dhe në pushtetin vendor në vendet ku jetojnë shqiptarët.

Balla shprehu optimizëm për samitin e ardhshëm dhe theksoi se një nga objektivat kryesore për të ardhmen është krijimi i rrjeteve të zgjedhësve dhe grupeve këshilltarësh në nivel vendor, për t’u siguruar që diaspora të jetë më e sinkronizuar me institucionet e Shqipërisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›