Balla: Engel, mik i madh i shqiptarëve

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës të palëkundur të çështjes kombëtare.
Në një mesazh ngushëllimi, Balla thekson se kontributi i Engel në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane do të mbetet i paharruar.
“Sapo u njoha me lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Eliot Engel, një mik i madh i shqiptarëve dhe mbështetës i palëkundur i çështjes sonë kombëtare. Kontributi i tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane do të mbetet i paharruar”, shprehet Balla.
Ai u ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Engel.
Eliot Engel njihej për rolin e tij të rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve, veçanërisht në çështjet që lidhen me Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
/gj.m/a.f/r.e/