E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Kamala Harris nuk përjashton kandidaturën e ardhshme presidenciale

NJU JORK, 10 prill /ATSH-AFP/ – Ish-zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, e cila humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndaj Donald Trump, tha sot se po shqyrton të kandidojë përsëri për presidente në vitin 2028.

“A do të kandidoni përsëri në vitin 2028?” e pyeti Reverendi Al Sharpton, një aktivist i shquar i të drejtave civile, në një forum për organizatën e tij, NAN.

“Po mendoj për këtë”, u përgjigj demokratja, e cila u prit me duartrokitje nga publiku.

Gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që u bë zëvendëspresidente në historinë e SHBA-së, Kamala Harris ka mbetur e paqartë në lidhje me të ardhmen e saj politike që nga humbja e saj në vitin 2024.

Ish-senatorja e Kalifornisë, tani pa asnjë post të zgjedhur, ka udhëtuar nëpër Shtetet e Bashkuara që nga viti i kaluar për të promovuar librin e saj, “107 Ditë”, kohëzgjatja e fushatës së saj të nisur me nxitim pas tërheqjes së Joe Biden më 21 korrik 2024.

Kur ajo njoftoi disa muaj më parë se turneu i saj promovues do të vazhdonte deri në vitin 2026, disa komentues e interpretuan njoftimin si një prelud për një përpjekje tjetër për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Edhe figura të tjera të së majtës po shfaqen në horizont.

Midis tyre, guvernatori aktual i Kalifornisë, Gavin Newsom, nuk i fsheh ambiciet e tij presidenciale, ashtu si edhe Pete Buttigieg, ish-sekretar i Transportit nën presidencën Biden.

Përfaqësuesja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, një figurë kryesore e së majtës amerikane, mund të hyjë gjithashtu në garë, ashtu si edhe ish-astronauti dhe senatori aktual i Arizonës, Mark Kelly.

Josh Shapiro, guvernator i Pensilvanisë, dhe JB Pritzker, guvernator i Illinoisit, përmenden gjithashtu në sondazhe si demokratët me shanset më të mira./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›