Balla: Ftesa për dialog me studentët mbetet e hapur, përjashto seksionin e dhunës së PD-së

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se nuk do të ketë dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe as zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që ftesa për dialog me studentët mbetet e hapur.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së grupit parlamentar, Balla theksoi se mazhoranca mbështet dialogun me studentët, ndërsa nënvizoi se ndryshimi i pushtetit në demokraci përcaktohet përmes votës.
“Kryeministri Rama ka qenë shumë i qartë, dialog me studentët. E vërteta është që ka çështje për t’u adresuar, edhe pse jemi ndër të paktat vende që kemi një trajtim të veçantë për studentët ekselentë. Në Shqipëri një student ekselent merr mbështetje nga shteti 600 dollarë në muaj, diçka që nuk është në vendet e tjera. Të gjithë studentët që vijnë nga familje në nevojë nuk paguajnë asnjë taksë, nuk paguajnë asnjë tarifë, marrin dhe një mbështetje 100 euro në muaj nga shteti. Ndërkohë studentët me të vërtetë mund të thonë nuk mjafton”, shtoi ai.
Por, sipas Ballës, dialogu nuk mund të zhvillohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrsesi me ata që dhunojnë.
I pyetur lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor, Balla u shpreh se sot nuk ka një listë çështjesh që diskutohet.
“Dorëheqja e Edi Ramës nuk ka për të ndodhur kurrë. Ti nuk e zgjedh dot kundërshtarin. Edi Rama është zgjedhur në 11 maj të vitit 2025, kryeministër i Shqipërisë, dhe ka të gjithë mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dhe të 862 mijë votuesve që kanë mbështetur PS për të vazhduar këtë mandat dhe dorëheqje nuk ka. Dialog, pa dyshim, përjashto seksionin e dhunës së Partisë Demokratike, që për turpin e Sali Berishës shkoi mbrëmë dhe dhunoi edhe pllakatat e katër dëshmorëve të 21 Janarit”, shtoi ai.
Balla u sugjeroi studentëve të marrin shembull nga studentët e Serbisë. “Kishte një protestë, zgjati për tre vite me radhë, në fund u konkretizua me votë. Vota është ajo që përcakton. Dhe në demokraci, harrojeni se mund të ketë ndryshim të pushtetit pa votë. Një gjë është e sigurt, që kushdo që të marrë pjesë në zgjedhje duhet të regjistrohet në zgjedhje. Modeli që ndodhi në Serbi ishte se të gjitha partitë opozitare u shkrinë dhe nuk morën pjesë në zgjedhje”, shtoi Balla.
Balla siguroi se PS do të jetë gjithmonë për ta çuar deri në fund programin e vet “Shqipëria 2030” dhe për ta parë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.
“Ne nuk e negociojmë këtë me askënd, do t’i shkojmë deri në fund. Zgjedhje të parakohshme nuk ka”, siguroi Balla.
/j.p/r.e/