Balla: Kuvendi të mbajë një minutë heshtje në nderim të akademikut Rexhep Qosja

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sot në Kuvend mbajtjen e një minutë heshtjeje në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Në fjalën e tij Balla vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të akademik Qosjes në kujtesën tonë kombëtare.
“Të gjithë jeni njohur me lajmin shumë të trishtë të ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, vepra e të cilit nuk janë thjesht vetëm libra, por janë një kontribut i pazëvendësueshëm i kujtesës tonë kombëtare, i ndërgjegjes dhe dinjitetit tonë si komb”, tha Balla.
Balla kërkoi që Kuvendi të mbajë një minutë heshtje për të vlerësuar kontributin e tij të pazëvendësueshëm
“Është shumë jetike në kuptimin e respektit për një nivel kaq të madh të kontributit për shqipen, për shqiptarinë, të vlerësojmë kontributin e pazëvendësueshëm të këtij akademiku në kërkesën bazuar në rregulloren e Kuvendit që në një moment të caktuar, kur kjo sallë të plotësojë protokollin e nevojshëm të një momenti të tillë solemn, gjatë ditës së sotme”, tha Balla.
Balla ftoi deputetët të kujtojnë veprën e tij duke mbajtur një minutë heshtje.
“Siç jeni njoftuar familja e tij ka njoftuar që nuk do të ketë ceremoni zyrtare ndërkohë që familja ka kërkuar privatësinë, por në vlerësim të kontributit të vlerës historike që ky personalitet mban, besoj që është në dinjitetin e Kuvendit nga të gjitha grupet parlamentare nën drejtimin tuaj të momentit kur do të caktohet ta mbajmë një minutë heshtje. I paharruar qoftë kujtimi i akademikut Rexhep Qosja”, shtoi ai.
/m.m/j.p/