E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Tirana vrunduj vrunduj me turistë

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Turistë nga e gjithë bota po zgjedhin kryeqytetin shqiptar si destinacionin e preferuar jo vetëm në prill, por gjatë gjithë vitit.

Turistët  vërehen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej”, te “Piramida”, në Bunk’Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzetë e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje nga turistë të shumtë që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit, ndërsa e ka etiketuar “vrunduj-vrunduj me turistë”

Fluski i turistëve është gjithnjë më shumë në rritje në Tiranë dhe Shqipëri, duke u shndërruar në një destinacion të preferuar në turizmin mesdhetar për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë

Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe ai i aventurës.

Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina, janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art” 1 dhe 2, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, etj. Grupet e turistëve i gjen kryesisht te sheshi “Skënderbej”, te Kalaja e Tiranës dhe te Pazari i Ri.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›