E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Persona të sëmurë në Librazhd kërkojnë ndihmë

Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me tensione për shkak të situatës nga dëbora në veri dhe verilindje të vendit.
Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka kërkuar nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani të dërgojë një helikopter në komunën e Stëblevës pasi 2 persona janë të sëmurë dhe kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore.

Ai ka kërkuar ndërhyrje në disa zona të Librazhdit në ndihmë të banorëve që po vuajnë nga moti i keq ndërsa ka shtuar se në shumë zona ka mungesë të energjisë elektrike.

 “Verilindja po jeton dimrin më të ashpër dhe situatën më të rënë të këtyre viteve. Kam kërkuar dje të niset helikopteri në Stërblevë ku ka dy të sëmurë rëndë që duan ndihmë. Unë dua këtu sot të flasë ministri i brendshëm, i cili duket se nuk ka dijeni për situatën. Pjesa më e madhe e fshatrave nuk kanë energji elektrike”, tha Balla.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i ministrit të brendshëm Bujar Nishani i cili ka theksuar se komiteti ndërministror ka marrë masa për tu ardhur në ndihmë banorëve në zonat e izoluara nga dëbora.  “Zoti Balla, i mbajta shënim ato që thatë si edhe ato që do të thoni me vonë. Jam përgatitur për të folur sot. Unë ju siguroj se po merren të gjitha masat për tu ardhur njerëzve në ndihmë në të gjithë vendin. Por, sapo të më jepet fjala do të flas për këtë çështje” ka theksuar Nishani.

Ndërkohë Kuvendi pritet të miratojë sot ndryshimet në ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Sipas këtij drafti në të gjitha rastet kur ndërtuesi ka falimentuar aktin e kolaudimit të pallatit e merr përsipër qeverisja vendore.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›